Haradinajn nuk e zmbraps Hahni për taksën kundër Serbisë
Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ia ka ndryshuar mendjen as komisionari evropian për zgjerim, Johanes Hahn për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ai në një konferencë për medie ka thënë se taksa ndaj Serbisë do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Taksa nuk hiqet derisa Kosova të njihet nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka probleme me Bashkimin Evropian (BE), por me Serbinë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se BE-ja është duke kërkuar nga Kosova që ta heq taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
“Ne nuk i kemi venë taksë asnjë shteti të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Haradinaj, raporton “Epoka e re”.
I pyetur nga mediet se a do të hiqte dorë nga taksa kundër Serbisë në këmbim të heqjes se vizave, ai ka thënë se tani janë në etapa të tjera.
Më tutje, ai ka thënë se i ka kërkuar Hahnit përgjigje se kur mund të merret vendimi për vizat, por se nuk ka marrë një përgjigje definitive.