Hardeni mposhti i vetëm Utah Jazz, Bostoni “fluturon” me Irving
Houstoni udhëheq 2-0 serinë e çerekfinaleve në Konferencën e Perëndimit ndaj Utah Jazz, pas fitores 118-98 arritur sot. Një sukses i lehtë i ekipit teksan, superior në fushë karshi Jazz në të gjithë ndeshjen, duke e merituar fitoren. James Harden zhvilloi një tjetër ndeshje magjike, autor i “triple double”, duke realizuar 32 pikë, 13 rebound e 10 asistime. Ndërsa tek Utah mungoi pikërisht lojtari lider.
Në Lindje, skuadra e Boston fitoi 99-91 në fushën e tij ndaj Indiana, ndeshje ku skuadra mike shpërdoroi një avantazh prej 12 pikësh në fillimin e periodës së katërt. u mendua se Pacers do ta fitonin ndeshjen (Bogdanoviq më i miri me 23 pikë), por në minutat e fundit erdhi përmbysja e Celtics. Ai që shkëlqeu ishte Kyrie Irving, që realizoi 37 pikë, mbështetur edhe nga Tatum me 26 pikë. Boston udhëheq 2-0 serinë e ndeshjeve, raporton ‘telesport’.
Po 2-0 udhëheq serinë e ndeshjeve edhe ekipi i Milwaukee, skuadra me rekordin më të mirë në sezonin e rregullt. Bucks mposhtën lehtësisht 120-99 Detroit, sfidë që u vendos në gjysmën e dytë të saj. Milwaukee pati gjatë gjithë kohës një avantazh të lehtë, me vendasit që shpërthyen në pjesën e dytë falë 27 pikëve të Bledsoe, 26 të Antetokounmpo dhe 24 të Middleton, një trio që bëri diferencën në parket.
Konferenca e Lindjes – Çerekfinale “play-off”
1-8 Milwaukee – Detroit 120-99 (2-0)
4-5 Boston – Indiana 99-91 (2-0)
3-6 Philadelphia – Brooklyn (1-1)
2-7 Toronto – Orlando (1-1)
Konferenca e Perëndimit – Çerekfinale “play-off”
1-8 Golden State – Clippers (1-1)
4-5 Houston – Utah Jazz 118-98 (2-0)
3-6 Portland – Oklahoma (2-0)
2-7 Denver – San Antonio (1-1)