Haremi në kohën e Perandorisë Osmane
Haremi perandorak i epokës osmane, ishte koleksioni i grave, shërbëtorëve, dhe konkubinave të sulltanit, të cilët ndonjëherë numëroheshin në qindra. Disa prej tyre ishin aty sa për dekor, disa përdoreshin për prodhimin e trashëgimtarëve, ndërsa të tjerat patën pushtet dhe ndikim të madh.
Termi “harem”, të sjell në mendje imazhin e një dhome të mbushur me gra të bukura, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të kënaqte seksualisht padronin. Ky imazh mund të jetë frymëzuar nga haremet e shekullit XVI-XVII të Perandorisë Osmane. Megjithatë, haremi ishte më shumë sesa thjesht një lodër seksuale për sulltanin.
Haremi i sulltanit osman ekzistoi midis viteve 1299-1920. Gratë në harem luajtën një rol shumë më të madh se sa thjesht argëtimi i sulltanit. Disa prej tyre patën ndikim në qeverisjen e Perandorisë së fuqishme Osmane. Një periudhë e njohur si “Mbretërimi i Grave” ose Kadinlar Sultanatipa, i dha haremit të grave një rol të rëndësishëm brenda qeverisë, duke bërë që ato të fitonin më shumë pushtet se kurrë më parë.
Haremi ishte simboli i fundit i fuqisë dhe pasurisë së sulltanit. Pronësia e tij ndaj grave dhe eunukëve, kryesisht si skllevër, tregonte pasurinë dhe fuqinë e tij. Institucioni i haremit u fut në shoqërinë turke me adoptimin e fesë islame, nën ndikimin e kalifatit arab, të cilin osmanët synonin ta imitonin.
Shumica e burrave dhe grave brenda haremit, u blenë si skllevër për të siguruar bindjen e tyre, megjithatë disa mbetën të lirë. Gratë kryesore, veçanërisht ato të martuara, për të çimentuar aleancat personale dhe dinastike, ishin gra të lira. Skllevërit, apo edhe burrat dhe gratë e lirë u arsimuan brenda haremit.
Në fund të edukimit të tyre përkatës, burrat dhe gratë do të martoheshin me njëri-tjetrin. Më pas, burrat do të dërgoheshin për të zënë postet administrative në provincat e perandorisë. Për shkak të kësaj praktike, vetëm një numër i vogël grash, u zgjodh për t’u bërë pjesë e haremit personal të sulltanit.
Ky grup grash drejtohej nga Valide Sulltan, zakonisht nëna e vetë Sulltanit. Një numër edhe më i vogël grash, do të zgjidheshin si favoritet e sulltanit, ose hasekis. Edhe këto gra mund të zgjidheshin për t’u martuar, ose për t’u dërguar si dhurata, për pjesëtarët e lartë të elitës osmane, domethënë nëse nuk kishin marrëdhënie seksuale me vetë sulltanin.
Gruaja më e fuqishme në harem, Valide Sulltan, do të ishte gruaja ose konkubina e babait të Sulltanit, dhe do të ngjitej në rangun e lartë brenda haremit. Asnjë zonjë e oborrit nuk mund të hynte apo dilte në lokalet e Haremit, pa lejen e Valides Sulltan, dhe eunukët e oborrit do të jepnin llogari drejtpërdrejti përpara asaj.
Valide Sulltan, ishte gjithashtu përgjegjëse për edukimin e djalit të saj me intrigat e politikës shtetërore. Asaj i kërkohej shpesh të ndërhynte në vendimet e djalit të saj, si një anëtar i oborrit perandorak.
Gratë e tjera më të fuqishme në Harem, do të ishin konkubinat që ishin ngjitur në hierarki, për të arritur titujt e Gözde (më të preferuarës), Ikbal (Fatlumes) ose Kadin (Gruas/bashkëshortes).
Tradicionalisht, sulltani mund të kishte vetëm katër gra si të preferuarat e tij, dhe ato kishin një status të barabartë me bashkëshortet e ligjshme të sulltanit, brenda hierarkisë së haremit. Këtyre grave iu jepeshin apartamente brenda pallatit, si dhe shërbëtorë dhe eunukë.
Zakonisht, haremi i konkubinave, së bashku me gratë e ligjshme të sulltanit, u përdor për qëllime riprodhimi. Ai shërbeu, për të theksuar fuqinë patriarkale të sulltanit. Sidoqoftë, gratë skllave, ndryshe nga gratë e ligjshme, nuk kishin një linjë të njohur trashëgimie. Gratë e ligjshme, druheshin të kishin një interes të caktuar në promovimin e djemve të tyre, duke çuar në sjellje të pandershme ndaj sulltanit. Prandaj, konkubinat ishin më të besueshme, kur vinte puna për lindjen e djemve, pasi ato nuk mund të kishin interes në këtë promovim të fëmijëve të tyre, sepse kjo s’do të kishte efekt mbi to si nëna.
Përmes kësaj praktike, konkubinat u konsideruan si një burim më legjitim i djemve, pasi nuk kishte asnjë mundësi për tradhti. Ndërsa konkubinat mund të fitonin favorin e sulltanin, ato nuk mund të ngjiteshin kurrë në pushtet, apo të fitonin legjitimitet brenda familjes mbretërore.
Ndërsa këto gra luajtën një rol të rëndësishëm brenda haremit, ata ishin vetëm gjysma e ekuacionit. Eunukët ishin gjysma tjetër integrale e haremit. Eunukët, konsideroheshin më pak se burra, për shkak të gjymtimit të organeve të tyre gjenitale. Si të tillë, ata nuk mund të tundoheshin nga gratë e haremit, dhe prandaj do t’i qëndronin besnikë sulltanit, dhe nuk përbënin ndonjë kërcënim për “shenjtërinë” e Haremit.
Eunukët ishin zakonisht skllevër ose robër lufte, që do të kastroheshin para pubertetit, dhe të dënuar do të kishin një jetë si shërbëtorë. Të gjithë eunukët, u kastruan rrugës për në tregjet e skllevërve, nga të burgosurit e tyre të krishterë ose hebrenj, sepse Islami e ndaloi praktikën e kastrimit, por jo përdorimin e skllevërve të kastruar.
Ngjashëm, skllavet femra të haremit, do të përbëheshin kryesisht nga vajzat e bardha të krishtera, duke qenë se gratë myslimane e kishin të ndaluar të bëheshin konkubina. Brenda Haremit, kishte një hierarki të eunukëve, ashtu si hierarkia e grave: të parët ishin eunukët zezakë, ndërsa nivelet e dyta dhe të treta prireshin të përbëheshin nga skllevër të bardhë dhe shërbëtorë.
Ky dallim lidhet drejtpërdrejt me nivelin e gjymtimit të organeve gjenitale të meshkujve. Kategoria e eunukëve zezakë, do të kishte të hequr si penisin ashtu edhe testikujt, ndërsa skllevërit e bardhë do të mbeteshin me testikujt e tyre, me vetëm një pjesë të penisit të hequr. Për këtë arsye, eunukët zezakë shërbenin në harem dhe i mbronin gratë. Ndërkohë eunukët e bardhë do të mbaheshin larg grave, dhe do të caktoheshin në role të ndryshme shërbimi brenda qeverisë.
Në historinë e mëvonshme të Perandorisë Osmane, haremi u romantizua nga Perëndimi i krishterë. Në vitin 1861, piktorja franceze Henriette Brune, që e shoqëroi bashkëshortin e saj në një udhëtim diplomatik në Stamboll, bëri bujë kur ekspozoi një nga pikturat e saj në Paris, që përshkruante jetën në brendësi të një Haremi perandorak. Ndryshe nga idetë tona moderne mbi haremet, kjo pikturë përshkruante një skenë mjaft të hijshme të grave të mbuluara me rroba për femra, që bisedonin nën një dhomë me harqe të zbukuruara. Por, kjo u konsiderua si pikëpamja e parë e një haremi nga Perëndimi. Për shkak të kësaj ndjesie, haremi shihej si një atraksion turistik, derisa Perandoria Osmane u shemb zyrtarisht në vitin 1920. /Ancient origins/bota.al/telegrafi/.