![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/01/Hargreaves.jpg)
Hargreaves: E rëndësishme që Kuvendi dhe Qeveria të formohen sa më shpejt
Mbretëria e Bashkuar pret që institucionet e reja në Kosovë të formohen sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur punën dhe angazhimin e plotë në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE). Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Me rezultatet aktuale ku janë numëruar thuajse të gjitha votat tashmë është e qartë që Kosova do ta ketë një qeveri koalicionesh. Por, me deklarimet e partive për bashkëpunime të mundshme duket që proceset do të mund të bllokohen. Megjithatë, kjo nuk është ajo që aleatët e Kosovës presin nga klasa politike.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, krahas përgëzimit për procesin e qetë të mbajtjes së zgjedhjeve të dielën, në një deklarim për “Express” ka thënë se Kosova do të duhet të ketë sa më shpejt Kuvendin e Qeverinë të formuar.
“Është e rëndësishme për Kosovën që Kuvendi dhe qeveria e re të mund të formohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj dhe të angazhohet plotësisht për të arritur progres në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.
Pas dështimit të faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në publikimin e rezultateve të dielën, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sot në një takim me presidenten Vjosa Osmani, tha se menjëherë kanë ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme.
Hargreaves ka thënë se gjithashtu pa vonesa pret që të përfundojë edhe procesi i certifikimit zyrtar, derisa vuri theksin te rëndësia e institucioneve të pavarura në një shtet të ri.
“Për një vend kaq të ri, është e rëndësishme fuqia dhe funksionimi i institucioneve të pavarura të Kosovës. Procesi i mbetur drejt certifikimit zyrtar të rezultateve tani duhet të vazhdojë pa probleme dhe pa vonesa”.
Ambasadori britanik tha se të dielën mbeti i kënaqur që pa “kaq shumë qytetarë të Kosovës” duke ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhje.
“Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar është e lumtur që ishte në gjendje të vendoste një ekip të fortë vëzhguesish së bashku me Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së. E përgëzoj Kosovën për një proces të qetë dhe paqësor zgjedhor, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve”, tha ai.
Hargreaves në fund tha se Kosova është një partner i ngushtë dhe i çmuar i Britanisë së Madhe.
“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë nën qeverinë e re”, thotë ai.
Një qeveri të qëndrueshme nga Kosova e pret edhe Gjermania. Në një përgjigje për Gazetën Express dje, ambasada gjermane në Prishtinë përsëriti fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që tha se politikanët duhet të sigurojnë që “një qeveri e qëndrueshme të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ambasada gjermane po ashtu tha se po bëhet e qartë nga rezultatet e së dielës se Kosovës do t’i duhet një qeveri koalicioni.
“Derisa jemi ende në pritje të rezultateve përfundimtare, duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë se në Kosovë duhet të formohet një qeveri koalicioni”, tha ambasada dje.
Edhe Bashkimi Europian tha se presin “me padurim formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën për t’iu afruar BE-së dhe për të përfituar plotësisht nga mundësitë e rëndësishme si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.