Hargreaves thotë se ka diskutuar me Kurtin për shqetësimet e britanikëve dhe partnerëve për aksionin policor në veri
Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar sot me kryeministrin Kurti. Ai tha se me Kurtin diskutoi për “shqetësimin e përbashkët të Britanisë dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë të Kosovës për aksionin e fundit të Qeverisë në Veri të Kosovës”.
Hargreaves shtoi se është diskutuar edhe për një sërë çështjesh bilaterale duke përfshirë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe sigurinë, duke përfshirë rolin e forcave të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR.
“Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh bilaterale duke përfshirë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe sigurinë, duke përfshirë rolin e forcave të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR”, ka shkruar ai.
Ndërsa ZKM kur njoftoi për këtë takim nuk përmendi mospajtimet e fundit, por tha se kryeministri e falënderoi ambasadorin britanik edhe “për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.
“Kryeministri falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën e Kosovës me pajisje teknike për luftimin e kontrabandës, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po trajnon ushtarët e Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të operacionit Interflex dhe ka kryer misione të bashkë-zbarkimit me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai gjithashtu veçoi faktin se tash Kosova është pjesë e mekanizmit UK Export Finance, që ofron më shumë mundësi për investime nga investitorët e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kurtit.
Autoritetet e Kosovës të premten i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës dhe kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.