
Hargreaves thotë se nëse ka më shumë përfaqësim të grave në qeverisje, ajo është më transparente
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në fjalën e tij gjatë prezantimit të Rrjetit të Grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione te pavarura, ka thënë se në Kosovë është bërë arritje e madhe, e posaçërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, fuqizimin, por edhe në mënyrë të veçantë, agjencitë dhe dikasteret e ndryshme.
Sipas tij, më nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të barazisë, por edhe të cilësisë në mënyrën e vendimmarrjes dhe udhëheqjes.
“Pra nga 38 pozitat e kryeshefave ekzekutiv, vetëm 7 janë gra”, ka thënë diplomati britanik.
Por, sipas tij, kur bëhet fjalë për emërimin e grave në ndërmarrje, janë diku rreth 40 për qind, e që sipas tij është arritje shumë e mirë.
“Pse është kjo me rëndësi, jam i bindur se të gjithë e dini përgjigjen për këtë. Është me rëndësi për ju, për familjet tuaja, por mbi të gjitha është për të pasur barazi në qeverisje. E dimë që nëse ka më shumë përfaqësim të grave në qeverisje, qeverisja është më transparente, ato kanë më pak gjasa të korruptohen e janë më të vëmendshme ndaj nevojave të grave”, ka thënë Hargreaves.
Ambasadori ka treguar se gjatë muajve të fundit ka qenë shumë i interesuar të kuptojë ndikimin që ka bërë puna e Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve të shumta me rekrutim mbi baza të meritës, e që sipas tij e ka përmirësuar mundësinë e përfshirjes së grave në punësim në institucione publike.
“Dhe më duket se kur ka procese të drejta dhe transparente në rekrutim, atëherë mund të emërohen e caktohen gra edhe në pozita udhëheqëse, sikurse auditore, sekretare të përgjithshme, kryetare të bordeve të ndërmarrjeve”, ka thënë Hargreaves.