Harris: Vdekja e raportuar e Navalnyt, shenjë e brutalitetit të Putinit
Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për ta konfirmuar vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, kritikut të zëshëm të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.
Harris, duke folur nga Konferenca e Munihut në Gjermani, tha se nëse konfirmohet vdekja e tij, do të jetë një tregues tjetër i brutalitetit të presidentit Putin.
“Ky është një lajm i tmerrshëm, për të cilin po punojmë që ta konfirmojmë. Nëse konfirmohet, ky do të ishte një tregues i mëtejmë i brutalitetit të Putinit. Çfarëdo rrëfimi që ata të kenë [Rusia], më lejoni të jemi të qartë: Rusia është përgjegjëse. Më vonë do të komentojmë më shumë për këtë çështje”, ka thënë ajo.
Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.
Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, është thënë në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Mediet e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.
Media shtetërore, “TASS”, ka cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.
Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, ka shkruar në “X”, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.