Harrisi dhe Trumpi po përgatiten për duelin e tyre të parë televiziv
Një debat në televizion që mund të fitojë Shtëpinë e Bardhë.
Tensioni po rritet rreth sfidës së parë, dhe ndoshta të vetme, të drejtpërdrejtë përpara 5 nëntorit midis Kamala Harris dhe Donald Trump, me sondazhet e fundit që tregojnë se ata janë praktikisht të barabartë.
Pak më shumë se 48 orë para debatit për “ABC News”, demokratët dhe republikanët intensifikuan përgatitjet e tyre me stafin përkatës për t’u përballur me pyetjet e gazetarëve, gjykimin e publikut dhe sulmet e kundërshtarëve.
E mbyllur në hotelin e saj në Pittsburgh të Pensilvanisë, ku do të qëndrojë deri në momentin e sfidës, zëvendëspresidentja e ka rrethuar veten vetëm me këshilltarët më të besuar dhe përgatitësit më të mirë.
Pasojat janë shumë të larta, veçanërisht për demokraten nëse është e vërtetë, siç zbuloi sondazhi i fundit i New York Times/Siena College, se 28% e votuesve të pavendosur mendojnë se “nuk e njohin mjaftueshëm atë dhe duhet të dinë më shumë” për të.
Fushata e Harris u ankua në “ABC News” se kishte zgjedhur formatin me mikrofona fikur, i njëjti që përdori “CNN” në duelin famëkeq mes Trump dhe Joe Biden, me argumentin se do të disfavorizonte kandidaten, duke mbrojtur republikanin nga konfrontimi i drejtpërdrejtë.
Manjati po përgatitet gjithashtu për debatin, me sa duket në një mënyrë më të butë.
Dy kandidatët janë gjithashtu shumë pranë në nivel kombëtar, me 48% për Trump dhe 47% për Harris, sipas sondazhit të NYT/Siena.
Në përgjithësi, të gjitha gjetjet e fundit, megjithëse me disa dallime, i kanë kthyer demokratët në tokë pas dehjes së konventës së Chicagos.
Për zëvendëspresidenten, debati i së martës do të jetë thelbësor për t’u prezantuar veçanërisht me votuesit meshkuj hispanikë, të cilët ajo ende nuk ka arritur t’i bindë dhe që janë vendimtare për të fituar Shtëpinë e Bardhë.