Harrisi e Trumpi i shtrëngojnë prapë duart një ditë pas debatit
Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump, morën pjesë të mërkurën në shënimin e përvjetorit të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, kur ishin vrarë gati tre mijë njerëz.
Dy rivalët që vetëm para disa orëve kishin zhvilluar debat të ashpër me njëri-tjetrin u panë të mërkurën paradite përsëri duke i shtrënguar duart, raporton gazeta “The Guardian”.
Trumpi mori pjesë në ceremoninë e përvjetorit të sulmeve bashkë me kandidatin republikan për nënpresident të ShBA-së, JD Vance. Trumpi dhe Harrisi i shtrënguan duart me një buzëqeshje të kufizuar para se të hynin në rresht në mënyrë solemne për ceremoni.
Zonja Harris qëndroi në krahun e djathtë të presidentit Joe Biden, ndërsa ish-kryetari i Nju-Jorkut, Michael Bloomberg, qëndronte mes Bidenit dhe Trumpit, ndërsa Vance ndodhej në krahun e majtë të ish-presidentit.
ShBA-ja të mërkurën po e shënon 23-vjetorin e sulmit terrorist në Nju-Jork, Pentagon dhe Shanksville. Më shumë se 2.750 njerëz u vranë në Nju-Jork, 184 në Pentagon dhe 40 në Shanksville.