Harrisi zotohet për “një rrugë të re përpara”

23 gusht 2024 | 12:27

Nëpresidentja amerikane, Kamala Harris, u ka bërë thirrje amerikanëve që të refuzojnë ndarjet politike, duke thënë se ka shans për “një rrugë të re përpara”. Gjatë pranimit të nominimit të Partisë Demokratike për të garuar për presidente kundër republikanit, Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, Harrisi është zotuar se, nëse zgjedhet, do të jetë presidente për të gjithë amerikanët.

Gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar të demokratëve, nënpresidentja ka argumentuar se historia e saj personale dhe karriera si prokurore e bëjnë atë person të kualifikuar në mënyrë unike që të mbrojë interesat e amerikanëve kundër ish-presidentin Trump, i cili, sipas Harrisit, ka në mendje vetëm interesat personale.

“Kombi ynë me këto zgjedhje ka një mundësi të çmuar që të tejkalojë hidhërimin, cinizmin dhe betejat ndarëse të së shkuarës. Një shans për një rrugë të re përpara. Jo si anëtar të ndonjë partie apo fraksioni, por si amerikanë”,  ka thënë Harrisit gjatë fjalimit 40-minutësh të Kuvendit partiak.

Harrisi është gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore që pranon nominimin e një partie të madhe për të garuar për Shtëpinë e Bardhë. Nëse zgjidhet, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente e ShBA-së.

Adresimi i saj dhe Konventa e demokratëve në përgjithësi synonte që t’iu drejtohej një pjese të madhe të amerikanëve, jo vetëm mbështetësve të partisë së saj, të cilët kanë shprehur mbështetje për të pasi presidenti Joe Biden, ka hequr dorë nga gara për rizgjedhje.

Ajo ka bërë disa thirrje që u drejtoheshin një numri të madh votuesish që janë të pakënaqur me zgjedhjet e dy partive kryesore për garën për Shtëpinë e Bardhë, veçmas ajo u është drejtuar personave që janë të pakënaqur me Trumpin.

“Amerikë, rruga që na solli këtu në javët e fundit, padyshim që ishte e papritur. Por, unë nuk e kam për herë të parë një rrugëtim të tillë”, ka thënë Harrisi.

Gjatë adresimit, ajo ka folur për jetesën me nënën në një banesë të vogël të San Franciskos, pas shkurorëzimit të prindërve. Ajo po ashtu ka treguar historinë e shoqes së saj të ngushtë në shkollën e mesme, Wanda, e cila i kishte treguar Harrisit se po abuzohej nga njerku i saj dhe më pas Wanda kishte shkuar të jetonte me familjen e Kamala Harrisit. “Kjo histori është një prej arsyeve pse u bëra prokurore. Për të mbrojtur njerëzit sikurse Wanda”, ka thënë Harrisi.

Duke folur për karrierën e saj si prokurore, më pas si prokurore e përgjithshme e shtetit, senatore dhe tani nënpresidente, Harrisi ka thënë se “e gjithë karriera ime e ka pasur vetëm një klient: popullin”.

Ndërsa ka thënë ajo, Trumpi gjithmonë ka vepruar në interes “të vetëm një klienti që ai ka pasur: vetes”.

Gjatë Kuvendit të demokratëve, Harrisi u është drejtuar direkt republikanëve që nuk e mbështesin Trumpin dhe u ka kërkuar që t’i lënë anash përkatësinë politike dhe të mos e mbështesin Trumpin. “E di që shumë njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme politike po na shikojnë sonte. Unë dua që iu ta dini se premtoj se do të jem presidente për të gjithë amerikanët. Premtoj se do të jem presidente për të gjithë amerikanët dhe do të mbroj parimet e shenjta kushtetuese të Amerikës, parimet themeltare, nga sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e lira e deri te transferimi paqësor i pushtetit”, ka thënë ajo.

Duke kujtuar karrierën e saj si prokurore, ajo iu referuar disa herë “qëllimit eksplicit” të Trumpit që të lirojë të gjithë ata që sulmuan policët gjatë sulmit të 6 janarit të vitit 2021 ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan, të burgosë kundërshtarët politikë dhe të përdorë ushtrinë kundër popullit amerikan. “Vlerësojeni se çfarë synon të bëjë ai nëse vjen sërish në pushtet”, ka thënë Harris.

Trumpi që ka thirr në “Fox News” pas fjalimit të Harrisit, u është përgjigjur deklaratave të saj duke pyetur: “Pse ajo nuk i bëri gjërat për të cilat po ankohet. Shumë ankesa. Ajo nuk foli për Kinën. Nuk foli për krimin”, ka thënë Trumpi.

Në fjalimin e saj, që është më i detajuari sa i përket sigurisë kombëtare që kur është bërë kandidate për presidente, Harris është zotuar se do të forcojë raportet e ShBA-së me aleatët e NATO-s, duke thënë se shteti do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Trumpi dhe kandidati i tij për nënpresident, JD Vance, në vazhdimësi kanë vënë në pikëpyetje mbështetje e ShBA-së për Ukrainën.

“Unë kur nuk do të lëkundem nga mbrojtja e sigurisë së Amerikës dhe idealeve sepse në betejën mes demokracisë dhe tiranisë e di se ku qëndron ShBA-ja dhe se ku e ka vendin”, ka thënë Harrisi.

Nënpresidentja po ashtu është zotuar se do të punojnë drejt dhënies fund të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja dhe BE-ja, duke thënë se mund ta stabilizonte pjesën tjetër të rajonit, duke shtuar se nuk do të hezitojë të mbrojë forcat amerikane nga agresioni i Iranit apo i ndonjë armiku tjetër.

Përderisa ajo është zotuat “se gjithmonë do të mbrojmë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje” pas sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe do të punojë për lirimin e pengjeve dhe për armëpushim, ajo foli edhe për civilët palestinezë.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Gazë në 10 muajt e fundit është e tmerrshme, shumë jetë të pafajshme janë humbur. Njerëz të uritur e të dëshpëruar që largohen vazhdimisht për të gjetur një strehë të sigurt. Shkalla e vuajtjes është e tmerrshme”, ka thënë Harrisi.

Gjatë adresimit ajo po ashtu është zotuar se do të rivendosë vendimin për qasje në abort në mbarë vendin, pasi Gjykata Supreme ka hequr të drejtën e mbrojtur kushtetuese për abort. Harrisi ka kritikuar Trumpin dhe republikanët që kanë mundësuar ndalimin e abortit në dhjetëra shtete dhe janë zotuar se do ta ndalojnë edhe në shtete të tjera.

Pasi Harrisi zëvendësoi Bidenin si kandidate për presidente, ajo është përballur me kritika se shmang disa politika specifike. Por, gjatë Kuvendit Kombëtar të demokratëve ajo ka bërë premtime për disa politika kyçe sikurse zgjerimi i të drejtës së votimit, ulja e kostos së jetesës, fuqizimi i klasës së mesme përmes shkurtimit të taksave dhe për sigurinë e kufirit. /Associated Press

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka caktuar masën e paraburgimit…