HARRNI PËR THES, THUPRA PËR GARDH, KAPAKU PËR TENXHERE!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Kush të vrau o pse të vranë: Të martën në mëngjes, në Mitrovicën e Goran Rakiqit, u vra, nga vrasës të panjohur, ish-lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Oliver Ivanoviq ishte politikan jashtëzakonisht inteligjent, por edhe polic dhe paramilitar i përkushtuar i Serbisë. I tëri ishte në shërbim të shtetit të Serbisë, edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, si polic i uniformuar dhe përgjegjës për vrasje të civilëve shqiptarë. Pas luftës ishe pjesë e Rojave të Urës, si një nga paramilitarët që ushtruan terror ndaj shqiptarëve që jetonin ende aty sikur edhe një nga organizatorët dhe zbatuesit e vrasjeve të 12 shqiptarëve dhe boshnjakëve, në shkurt të vitit 2000, me ç’rast, me ndihmën e xhandarmërisë dhe KFOR-it francez nga veriu i Mitrovicës, u shpërngulën dhunshëm mbi 13 000 shqiptarë, të cilët kurrë nuk u kthyen në pronat e tyre.
Më pas u bë deputet i Serbisë në Kuvendin e Kosovës për t’u tërhequr për një kohë nga jeta politike sepse në skenë dolën disa serbë më radikalë se ai e që përkraheshin nga Vuçiqi, Daçiqi, Vulini, Gjuriqi dhe të tjerët. KMDLNj, në përgjithësi, e Halit Berani në veçanti, deponuan shumë materiale dëshmuese për krimet e Oliver Ivanoviqit gjatë dhe pas përfundimit të luftës, pas së cilës u ngre aktakuza dhe filloi një proces gjyqësor me një dënim me burg efektiv për ta kthyer procesin përsëri. KMDLNj nuk ka fare dilema për të kaluarën e Oliver Ivanoviqit, kurse pikërisht e kaluara e tij ishte shkas për ekzekutim nga vrasës të porositur nga Qeveria e Serbisë dhe qarqet ekstreme brenda kësaj qeverie. Çdo krim që është bërë në atë pjesë të okupuar të Kosovës është bërë me urdhër të Qeverisë së Serbisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Oliver Ivanoviqi ishte dëshmitar shumë i besueshëm kundër ndërhyrjes së Serbisë, por edhe të ndërkombëtarëve në veri të Kosovës sikur që ishte edhe dëshmitar i mundshëm i Gjykatës Speciale. Serbia me këtë vrasje e hoqi një dëshmitar shumë të mençur kundër saj sikur që po përpiqet t’ua hedhë përgjegjësinë për vrasje shqiptarëve dhe kështu, krimin që e bëri vetë, po e kapitalizon politikisht duke ndërprerë bisedimet me Kosovën. Shqiptarët nuk e kanë pasur asnjë arsye ta vrasin Oliver Ivanoviqin, por kanë pasur arsye të kërkojnë përgjegjësi ligjore për rolin e tij kriminal ndaj civilëve shqiptarë. Interesi i Kosovës ka qenë që Oliver Ivanoviqi të dënohet për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë dhe Serbia, me këtë krim, mirë të planifikuar, i mbylli të gjitha dëshmitë për implikimin e Oliver Ivanoviqit në vrasjen e shqiptarëve, me urdhër të Serbisë.
Kush po thotë se Kosova nuk është në agjendat e interesimit ndërkombëtar: Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministër për Punë të Jashtme, Behgjet Pacolli, është takuar me senatorin Bob Doll dhe analistin Daniel Server sikur edhe me z. Ryker. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me kongresistin Eliot Engel, ish-sekretaren e shtetit, znj. Medlin Olbrajt, z. Novicki, z. Rosicki, znj, pi..cki, z. Tim Xhudah dhe z. Ilir Meta.
Kryeministri i Kosovës u takua me z. Zaev, z. Talat Xhaferi, z. Rama, z. Vujoviq dhe z. Agim Shahini.
Kryetari i Kuvendit u takua me z. Delawie, ambasador i ShBA-së, znj. Apostolova, bosse e BE-së në Kosovë, me Ilir Dukatin e Shqipërisë si dhe me z. Haradinaj dhe Thaçi, pastaj edhe me z. Limaj.
Për t’i dhënë kuptim dhe peshë interesimit të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë për Kosovën dhe për t’i shpartalluar partizanët kujdestarë të medieve e që thonë se Kosova dhe udhëheqësit e saj janë nën një izolim ndërkombëtarë, e marr takimin e fundit e që ka rëndësi të jashtëzakonshme për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, midis znj. Natalia Apostolova dhe zotriut të nderuar, të respektuar dhe politikisht jashtëzakonisht të përgjegjshëm, Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri. Islam Pacolli e tërhoqi nënshkrimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale sepse këtë e kërkuan miqtë e Kosovës sikur që e kuptoi me vonesë se nuk ka ditur çka ka nënshkruar. Kësi politikanë i duhen Kosovës që, përveçse e kuptojnë shqetësimin e miqve ndërkombëtarë për Serbinë prandaj mundohen që, duke e dëmtuar Kosovën ta joshin Serbinë në BE dhe, e dyta nuk këmbëngulin kur binden se e kanë nënshkruar gabimisht listën.
Zonja Apostolova nuk është takuar me mua sepse e ka të qartë se nuk marr vesh në politikë por është takuar me eruditët politikë, Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri. Kam dëgjuar se me pishë dhe me qiri e ka lypë edhe Zafir Berishën por se nuk e gjeti askund.
Kush thotë se Kosova nuk ka kuadro të afta: Edhe unë pata gabuar se Kosova nuk ka kuadro të afta por, me të lexuar një lajm për një vizitë në QKUK përkatësisht në Klinikën Psikiatrike u binda për të kundërtën. Po e ndaj me ju lajmin…: “Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Abdulselami Shkodra i shoqëruar nga vëni kujdes – Udhëheqësi i Sekretariatit të Strategjive, z. Naim Muja kanë vizituar Klinikën e Psikiatrisë… Merreni me mend se deri ku shkon imagjinata për ta krijuar një pozitë të shpikur për një vend pune, udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive!!!!!!!! Po kësi formulimi nuk mund ta gjeni as në CIA, FBI, MOSAD, KGB apo M16 anglez. Tash, sa më shumë po lexoj, po bindem se nuk jam në tokë të bukës dhe se jam krejtësisht leshko dhe i painformuar. Udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive!!!!!!!!! Kuku për mua e kuku për Kosovën!
A është Walkeri perandor i Kosovës apo ne jemi krejt pakurrizorë: William Walker ishte shef i Misionit të Vëzhguesve para dhe gjatë luftë (një pjese të luftës) në Kosovë. Kishte për detyrë të raportonte për ngjarjet në terren dhe ky ishte detyrim i tij për çka paguhej mirë nga taksapaguesit evropianë dhe amerikanë. Kur ndodhi masakra në fshatin Reçak e bëri punën që duhej ta bënte; të raportonte për këtë masakër të pashembullt ndaj civilëve shqiptarë. Kur ndodhi Masakra në Reçak, Ruzhdi Jashari, si anëtar i Nënkëshillit për të Drejtat e Njeriut në Shtime dhe si ushtar i UÇK-së raportoi në KMDLNj në Prishtinë, para se Walker të dilte në vend të krimit. Më kujtohet kur i thoshte një ushtari të UÇK-së: “gjej edhe disa fije shkrepëse ta dërgojë raportin në zyrën e Këshillit në Prishtinë….”.
Me një fjalë, krimi në Reçak nuk do të mbetej i pazbuluar sikur që nuk mbeti i pazbuluar asnjë krim tjetër që e bënë forcat serbe në Kosovë. Walkeri pastaj u bë yll që e shfrytëzonte çdo rast të jetë në qendër të vëmendjes. U bënë rrugë me emër të tij. U bë mobilieria Walker e raste të tjera që e madhëronin Walkerin dhe i nëpërkëmbnin ata që vërtet dhanë kontribut në këtë rast. Walkeri pastaj ndërhynte edhe në proceset politike në Kosovë duke e vizituar Albin Kurtin në burg në përpjekje që ta marr premtimin nga ai se do të heq dorë nga protesta e dhunshme dhe se do të pajtohej me proceset nëpër të cilat po kalonte Kosova, në këmbim të lirimit nga burgu. Albini e refuzoi këtë dhe vetëm sa nuk e përzuri perandorin Walker nga takimi.
Një kohë perandori Walker ishte i afërt me krahun e luftës për t’u bërë pastaj me Vetëvendosjen! Tash, po e refuzon dekoratën nga Thaçi dhe nuk ka faj.
Hashim Thaçi, në vend se t’i dekorojë ata që u shkrinë dhe u prenë për këtë vend, po i lëvyret një Walkeri që maksimalisht po e materializon një veprim për të cilin ka marrë rrogë të majme. Tash, Walkerit po i pengojnë këta të luftës dhe në stilin e perandorit po kërkon nga ata që të largohen nga pushteti për t’u bërë vet mbase kryetar i Kosovës sikur Princ Vidi në Shqipëri apo Sejdo Bajramoviqi në Jugosllavi.
Perandori Walker duhet ta ketë të qartë se në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet dhe se ekziston një procedurë si zgjidhen udhëheqësit apo si krijohen institucionet. Sigurisht se këtë nuk e bëjmë si në Amerikë por po mësohemi nga Amerika. Walkeri në Kosovë është mysafir dhe ashtu duhet të sillet. Askush nuk e ka angazhuar perandorin Walker ta bëjë një arkitekturë të re se si duhet të ndërtohen institucionet dhe se kush duhet të jetë në krye të këtyre institucioneve. Një zot shtëpie që ka dinjitet, mikun e trajton si mik por nuk e lejon t’i tregojë se si duhet ta drejtojë familjen dhe shtëpinë e tij. Çka është e tepërt, është e tepërt!
Pse jemi aq vetëshkatërrues: Në Shqipëri thuaja është gjendje lufte midis pozitës dhe opozitës. Sali Berisha me një të kaluar kompromituese, në përpjekje për ta shpëtuar lëkurën e vet, të Lulit – holandezit fluturues, djalit të tij bonvivan me para të vjedhura të shtetit, vajzës Gita e njohur si latifundiste në Shqipëri (pronare e madhe tokash) si dhe Ilir Metës që i rri mbi kokë shpata e urdhërarresti për korrupsion, së bashku me Monikën po bëjnë të pamundurën që, për të katrën herë t’ia vënë flakën dhe zjarrin Shqipërisë. Këta nuk do të shpëtojnë dhe Shqipëria do të çlirohet nga këta keqbërës si dhe disa hajna të partisë Socialiste.
Në Maqedoni, shqiptarët duke qenë rrogëtarë, herë të Gruevskit e herë të Zaevit po krenohen që kanë arritur një fitore historike meqë gjuha shqipe po e fiton një status gjysmë zyrtar. Përdorimi i gjuhës ka qenë e rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit dhe kjo përligje që nuk po e nënshkruan Ivanovi, është komponentë e autonomisë kulturore dhe jo e asaj politike. Udhëheqësit shqiptarë në Maqedoni e kanë huqur detyrimin që e kanë dhe i kanë degraduar të drejtat e shqiptarëve.
Për Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës nuk keni as çka të flasim, të drejtat e shqiptarëve janë të drejta të grupeve etnike, asgjë më shumë.
Në Kosovë e tërë përpjekja po bëhet se si të rrëzohet qeveria dhe në këtë drejtim Partisë të Popullit Punonjës ia ka prishë planet Vetëvendosje që u nda në thuaja dysh simetrik. Krahu i hajnave të Vetëvendosjes mbeti larg Albinit dhe kundër Albinit. Vetëm Shpendi ende nuk është deklaruar botërisht se është kundër Albinit nga frika se Albini ia bënë punët lesh në komunën e Prishtinës. Vetëm kjo po e pengon Shpendin të largohet përfundimisht nga Albini.
Mendoj se nga Albini mund të ndahen ish-drejtoresha e “arsimit”, e shoqja e Skënderbeut dhe Sara e Mançesterit. E shohim.
Shumë zhurmë për një pasaportë me vlerë simbolike: U bë zhurmë e madhe pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u pajis me pasaportë të Shqipërisë për të cilën ia kushtoi tërë jetën duke luftuar dhe duke bërë luftë që nuk e bëri askush si ai. Nuk pati reagime fare kur, po me të njëjtën pasaportë u pajisën spiunët e Serbisë në Kosovë të shpërndarë në medie, shoqëri civile dhe Vetëvendosje! (një pjesë të saj). Bijtë dhe bijat e atyre që vranë patriotë shqiptarë në Kosovë, arrestuan dhe dënuan mijëra shqiptarë për aktivitete politike dhe kombëtare, u pajisën me pasaporta, edhe të Shqipërisë por edhe të Serbisë, nuk u sulmuan për këto pasaporta kurse Ramushi u pushkatua mediatikisht për këtë pasaportë të cilën plotësisht e ka merituar. Sot keni në Qeverinë e Kosovës hajna ordinerë milionësh sikur edhe në qeveritë e mëparshme që kanë pasaporta të Shqipërisë. Askush nuk flet për ata. Kjo është Kosova jonë, nuk ka tjetër. Ne jemi këta që jemi, nuk ka të tjerë. Zoti na ndihmoftë!