
‘Harruan Kosovën, nderuan Dodikun’, BDI-ja: Për herë të parë Maqedonia e Veriut nuk e uroi Kosovën
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), subjekti politik më i madh shqiptar në Maqedoni të Veriut, ka bërë me dije se këtë vit institucionet maqedonase nuk e kanë uruar Kosovën për përvjetorin e pavarësisë.
Përmes një reagimi, BDI ka vlerësuar se ky veprim nuk është vetëm një lëshim diplomatik, por edhe një sinjal i drejtpërdrejtë që minon frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.
Ky subjekt politik ka rikujtuar se institucionet maqedonase e kanë pritur dhe e nderuar Milorad Dodikun.
“Harruan Kosovën, Nderuan Dodikun – Cili është mesazhi i Qeverisë? Me keqardhje dhe shqetësim të thellë konstatojmë një veprim të papranueshëm që ndodhi këtë vit – për herë të parë, institucionet e shtetit, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, nuk dërguan një urim zyrtar publik me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky veprim nuk është vetëm një lëshim diplomatik, por edhe një sinjal i drejtpërdrejtë që minon frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal”, është thënë në reagimin e BDI-së.
Më tutje, BDI-ja ka treguar se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
“Në të njëjtën kohë, me të gjitha nderimet shtetërore, u prit në vendin tonë Milorad Dodik – një figurë politike e njohur për qëndrimet e tij destruktive ndaj proceseve euroatlantike dhe parimeve të stabilitetit rajonal. Kjo mospërputhje e qartë në trajtimin e shteteve fqinje dërgon një mesazh shqetësues për drejtimin e politikës të shtetit tonë. Një sjellje e tillë është pasojë e ndikimit në rritje të konceptit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut – një projekt që përbën kërcënim për sovranitetin, perspektivën evropiane dhe interesat strategjike të shtetit. Promovimi i kësaj ideologjie në dëm të marrëdhënieve miqësore me Kosovën është i papranueshëm dhe i dëmshëm”, ka vlerësuar BDI-ja.