Hasaj: Rritja e pagave, hap i duhur por me shumë ndikime

29 tetor 2024 | 20:23

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave nga janari i vitit të ardhshëm, është hap i duhur për Blendi Hasajn, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara, GAP, në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën bëri të ditur se Qeveria do t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasaj përmend argumentet ekonomike, sipas të cilave është dashur të merret një vendim i tillë, por nuk e mohon faktin se kjo mund të përdoret edhe si fushatë parazgjedhore.

Hasaj, gjithashtu, thekson rrezikun që sektori privat të bëhet më pak tërheqës, dhe të punësuarit në këtë sektor të ballafaqohen me paga dhe kushte më të vështira në punë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm. Sa jeni të kënaqur me mënyrën e rritjes së pagës, rritjen e koeficientit për njësi. Kush do të përfitojë më shumë?

Blendi Hasaj: Ky hap i Qeverisë për rritjen e pagave, nëse e shohim nga aspekti kohor gjatë këtij viti, ky është ai moment kur ndryshohen pagat, pasi deri më 31 tetor ekzekutivi duhet ta dërgojë projektbuxhetin për vitin tjetër në Kuvend. Dhe, është e paraparë që në Ligjin për buxhetin të jetë edhe vlera e koeficientit të pagave. Pra, ka qenë e pritur që këto ditë Qeveria të bëjë njoftimin se a dëshiron t’i rrisë pagat në sektorin publik apo jo.

Në anën tjetër, marrë parasysh se kjo korrespondon në një periudhë që shumë shpejt do të kemi edhe zgjedhjet e përgjithshme, pastaj një interpretim tjetër mund të jetë që nuk është koha adekuate që të rriten pagat në sektorin publik, për shkak të ndikimit që ajo mund të ketë, se si shërbyesit civilë mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Por, kemi edhe argumentin se Kosova, sikurse vendet e rajonit, por edhe në shtetet tjera është përballur me një normë të theksuar të inflacionit apo të rritjes së çmimeve, që, vërtet, ka ndikuar në shportën e konsumatorit.

Rritjen të cilën e ka propozuar Qeveria, nuk nënkupton rritje e vlerës së shumës financiare, por ndryshimin e koeficienteve, varësisht nga pozita. Interpretimi i parë është se Qeveria dëshiron të ketë një barazi në rritje, pra të gjithëve u rritet paga për shumën e njëjtë (55euro) .

Çka nënkupton kjo?

Nëse do të rritej vlera e koeficientit, me këtë vendim të Qeverisë do të përfitonin më shumë ata punonjës në sektorin publik që kanë paga më të mëdha.

Pra, nëse do ishte rritur vlera e koeficientit, nga 110 euro për shembull të themi në 120 euro, normalisht se përfitimi do të ishte për ata që kanë koeficient më të lartë.

Mirëpo, rritja fillestare që do të bëhet për 0.5 njësi në gjashtëmujorin e parë, nënkupton një rritje uniforme për të gjithë punonjësit.

Intervista e plotë: https://www.evropaelire.org/a/hasaj-rritja-e-pagave-/33177958.html

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur mbledhjen e radhës, në…