Hasan Prishtina ishte drita, zëri, mendja dhe pushka e kombit
Jahja Lluka
Është e paktë çdo fjalë, kur është në pyetje vepra e të madhit Hasan Prishtina. Sepse ai mbetet i pazakontë, në rrethana të rënda kur kombi ynë rrezikohej me shuarje, Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit.
Kombi ynë ka nxjerrë nga gjiri i tij, personalitete të kalibrit botëror, i tillë ishte Hasan Prishtina, të cilin historia e njeh si njërin nga mendjet më të ndritura, diplomat i shquar, politikan largëpamës, strateg preciz, filantrop, e mbi të gjitha atdhetar i madh.
Kur Shqipëria lëngonte nga dhimbja dhe vuajtjet, kur xhonturqit donin me domosdo ta shypnin dhe frymën e fundit shqiptare, kur fqnijët zaptues me frymë hienash iu hodhën Shqipërisë së gjakusur, për ta bërë copë- copë, kur fati i Shqipërisë prehej nga gërshëret e Fuqive të Mëdha, që ja vulosinin mosekzistencën, dolën në skenë burra të mëdhenjë të cilët përjetësisht do i njehë historia, për veprën e tyre sublime “Shpëtimin e Shqipërisë”.
Hasan Prishtina, ky njeri që ngriti zërin në parlamentin osman, tha se t’i mbrosh shqiptarët është detyrë që i takon civilizimit, sepse secili njeri i civilizuar do ngis zërin për tragjedinë pesë-shekullore ndaj një populli që fati kishte qenë i pamëshirë për të.
Sepse shqiptarët mbrojtën civilizimin kundër barbarisë, deri në frymën e fundit duke mos njohur fjalën dorëzim.
Hasan Prishtina thoshte para pralamentit osman, se tani shqiptarët trajtohen si skllevër, që mbi shpinën e tyre bartin peshën e gjithë barbarisë, të lodhur e të dërmuar në sytë e botës, nuk ishin më njerëz, ishin thjeshtë krijesa pa fat, të destinuara të zhdukeshin përgjithmonë.
Hasan Prishtina e cilësonte Shkupin si kryeqytet të të gjithë shqipëtarëve, ndaj kapi pushkën dhe nisi kryengritjen deri në çlirimin e tij.
Hasan Prishtina nuk ndenji në kolltuqe edhe pse ishte politikan, por njohu torturën e burgut, prangat të cilat iu vendosën nga serbët dhe bullgarët vetëm për ta çnjerëzuar dhe ta bënin të dorëzohej. Por ai nuk ndaloi, u bë zëri më i fuqishëm ndër shqiptarë ku preku majat e diplomacisë botërore.
Misioni i tij ishte çlirimi njëherë e përgjithmonë nga zgjedha osmano- sllave, mision të cilit nuk iu nda asnjëherë deri në çastin që mbylli sytë përgjithmonë nga dora e tradhtisë.
Atdhetari i madh Hasan Prishtina lindi me 27 prill të vitit 1873, në qytetin e Vushtrrisë, rrjedhë nga një familje e shquar dhe fisnike nga Polaci i Drenicës, e cila e frymëzoi Hasan Prishtinën me dashurinë për atdheun. Qysh në fëmijëri Hasan Prishtina ishte i veçantë,duke treguar aftësi të jashtëzakonshme të cilat ia hapën rrugën e dijes. Filloi mësimet në vendin e lindjes,për të vazhduar më pas në gjimnazin frëng në Selanik.Nuk mbaroi me kaq dhe mori rrugën për në Stamboll për të studiuar drejtësi në Universitetin e Stambollit.Por dashuria për Shqipërinë e shtyu që pas përfundimit të studimeve të kthehet në Shkup, për të nisur misionin e tij patriotik dhe frymëzues për popullin e tij të shtypur.Veproi me klubin “Bashkimi” dhe hodhi idenë e tij në opinion se gjuha shqipe duhej të shkruhej me alfabetin latin, për shkak se këto shkronja ishin më afër origjinës së shqipes.
Si politikan i shquar që ishte, u zgjodh dy herë deputet në parlamentin osman si përfaqësues i Prishtinës për Vilajetin e Kosovës. Hasan Prishtina në mandatet e tij si deputet,u bë zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Vuajtjet e popullit shqiptar dhe lufta e tij për liri, për Hasan Prishtinën ishin objektivat kyçe të cilat i mbronte në kuvendin e Stambollit.
Pasi që humbi pozitën e deputetit më 1912, ishte lagjia Taksim e Stambollit, ku Hasan Prishtina fillon veprimtarinë e tij ilegale, me patriotë dhe intelektualë të asaj kohe për të vendosur fatin e Shqipërisë së përgjakur. Aty merret vendim të organizohet një Kryengritje e Përgjithshme e Armatosur në Shqipëri.
Nisma e tij mori dhenë dhe u përhap në përmasa popullore, pasi që populli shqiptar ishte lodhur nga sundimi i regjimit xhonturk. Me 5 maj -18 gusht kryengritësit shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës dhe zunë Shkupin. Kjo kryengritje e udhëhequr nga Prishtina, bëri që autoritetet osmane të dorëzohen para revoltës shqiptare, duke pranuar kështu 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes. Ky ishte hapi i parë për njohjen e autonomisë së Vilajetit Shqiptar.
Në Luftën e Parë Ballkanike, Hasan Prishtina arrestohet nga forcat serbe dhe përfundon në burgun e Kalemagdanit në Beograd. Me urdhërin e qeverive të Austro- Hungarisë, Anglisë dhe Italisë lirohet.
“Fillon karrierën politike në Shqipëri pas Konferencës së Londrës me 1913, ku ngarkohet me postin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit. Në nëntor të po atij viti iu bashkua Esad pashë Toptanit. Emërohet ministër në kabinetin e Turhan pashë Përmetit në kohën e Princ Vidit”
Lufta e Parë Botërore e gjenë Kosovën në flakë, Hasan Prishtina nuk rri duarkryq dhe niset për në Kosovë, ku organizon një grup vullnetarësh përkrah trupave austro-hungareze.
Ky guxim dhe largpamësi e tij çmohet nga Austro- Hungaria ku merrë “ urdhërin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Kishte marrëdhënie të ngushta me Ballplatz-in për çështjen e Shqipërisë.”
Për Hasan Prishtinën, veç Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e atdheut i rëndësishëm ishte edhe edukimi i brezave të rinjë.
Ai e shihte edukimin si rrugëtim drejtë lirisë, sepse vetëm një komb i edukuar do arrinte njëherë e përgjithmonë të shlirohej nga pushtuesit e zymtë të cilët, bënin eksperimente me koka shqiptarësh.
Hasan Prishtina, kishe shkolluar qindra studentë me parat e veta, vetëm që ata të ishin njejtë si të rinjët e botës së civilizuar që dinin shkrim e lexim.
Prapë burgoset nga forcat bullgare me 1917, ku më pas arratiset dhe e lëndon këmben rënde duke ikur nga dritarja e qelisë.
Me 1918, Kosova pushtohet nga forvat serbe. Hasan Prishtina largohet për në Vienë, qëllimi i tij ishte që ta ngriste çështjen e shqiptarëve të Kosovës në qarqet më të larta diplomatike evropiane dhe zëri i tij shkoi deri në Amerikën e largët, ku i shkroi telegram presidentit amerikan Wilson, për padrejtësitë dhe gjenocidin në të cilin po kalonte populli shqiptar”.
U emërua në krye të dërgatës së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar”
Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të po atij viti pas një grusht shteti me Mustafa Krujën, Q. Koculin e Prishtinës shkaktuan dorëheqjen e qeverisë Evangjeli.
Pas qeverisë gjashtëorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë, pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë atdheut. Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë ndërmarrë katër herë përpjekje për t’i bërë atentat. Vritet pabesisht me 13 gushtit të vitit 1933, në Selanik nga Ibrahim Çelo.
Vrasja e Hasan Prishtinës trondit opinionin e asaj kohe. Një njeri i madh që i dha gjithëçka atdheut, duke shkrirë rininë, pasurinë dhe jetën për çështjen shqiptare, që u bë frymëzim për brezat e ardhshëm e që asnjë moment nuk iu nda kauzës së tij deri në frymën e fundit, meriton respektin e çdo shqiptari.
Është e paktë çdo fjalë, kur është në pyetje vepra e të madhit Hasan Prishtina. Sepse ai mbetet i pazakontë, në rrethana të rënda kur kombi ynë rrezikohej me shuarje, Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit.
Vepra e Hasan Prishtinës mbeti frymëzim për brezat e ri, të cilët lindën në Kosovën e okupuar dhe të përgjakur nga regjimi serb. Shekulli i XX ra si një vello e zezë mbi Kosovën. Vuajtje, gjenocid e dhimbje pafund përjetoi ky popull, ku vit pas viti e dakadë pas dekade shqiptarët detyroheshin me dhunë të shpërnguleshin nga atdheu. Në vitet e 90’ kur Kosova lëngonte nga gjaku, dhe torturat, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, me intelektualë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës, themeloi lëvizjen për pengimin e shpërnguljeve me emrin “Hasan Prishtina”.Pas më shumë se 700 tubimeve nëpër të gjitha fshatrat e Kosovës u arrit që të pengohet shpërngulja masive e ideuar nga Akademia Serbe.
Edhe pse nën masa të rrepta, nga regjimi serb, kur u mbyllën të gjitha institucionet në Kosovë, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, e vazhdoi punën, në vitin ‘97 e themeloi çmimin “Hasan Prishtina”, që së pari iu nda Nënës Shqiptare e cila kishte lindur 16 fëmijë, e të cilët të gjithë qëndruan në Kosovë, pavarësisht rrethanave të vështira për jetesë.
Më pas çmimi “Hasan Prishtina” iu nda shumicës së figurave kyçe të politikës dhe diplomacisë botërore të cilët ndikuan në çlirimin e Kosovës me 99’.
Veç çmimit “Hasan Prishtina” lindi edhe iniciativa për ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës tek rrethi i flamurit në Prishtinë, nga ku ishte nisur Hasan Prishtina për çlirimin e Shkupit, dhe rikthimin e eshtrave të tij nga Kukësi në Prishtinë, por kjo iniciativë u pengua me mosdhënien e lejes nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në krye me Isa Mustafën, me arsyetimin se një shtatore e Hasan Prishtinës ekziston në oborrin e rektoratit të Universitetit të Hasan Prishtinës.Kjo shtatore nuk mund të vizitohet nga qytetarët pasi është brenda rrethojave të rektoratit.
Poashtu iniciativa për shtatore në atë kohë u mbështet nga ish- kryeministri Hashim Thaçi me të vetmen kërkesë që të përmbushen procedurat ligjore (leja nga Komuna e Prishtinës).
Sidoqoftë me gjithë neglizhencën dhe hudhjen poshtë të iniciativës, figura e Hasan Prishtinës mbetet e përjetshme në historinë shqiptare, vepra e tij jetësohet me pavarësinë e Kosovës dhe do merrë kuptim të plotë kur të realizohen të drejtat e gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Jahja Lluka – Kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu”.