“Hasan Prishtina” në Mitrovicë pasurohet me libra, donacion nga Mehmet Prishtina dhe “Armagedoni”-i
Shkolla e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë sot është pasuruar me qindra libra nga publicisti dhe altruisti Mehmet Prishtina, drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj dhe drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, Skender Asani, të cilët me bashkëpunëtorë sot kanë vizituar personelin e kësaj shkolle.
Për bibliotekën e kësaj shkolle, Mehmet Prishtina, në bashkëpunim dhe participim 50/50 me shtëpinë botuese “Armagedoni”, i kanë dhuruar kësaj shkolle qindra libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj në vlerë prej 1 000.00 eurosh. Gjithashtu, një donacion me libra për këtë shkollë ka bërë edhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, “Faik Konica” dhe gazetari Arben Veselaj.
Drejtori i shkollës, Avdulla Bejtullahu, falënderoi donatorët për dhurimin e librave dhe çmoi shumë kontributin shkencor, patriotik dhe atdhetar të Hasan Prishtinës.
Përpos librave, Mehmet Prishtina për bibliotekën e shkollës dhuroi edhe portretin e veprimtarit Hasan Prishtina.