Hasani dhe Krasniqi në Asamblenë e Përgjithshme të SIGA-s
Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Besim Hasani dhe nënpresidenti i parë, Memli Krasniqi, morën pjesë në Asamblenë Gjenerale të Aleancës Globale për Integritetin e Sportit (SIGA) dhe Forumin e Integritetit të Sportit, të mbajtur për dy ditë në ambientet e CONI-t në Romë të Italisë.
Asambleja zgjodhi organet e reja drejtuese, duke konfirmuar për kryeshef ekzekutiv të SIGA-s, Emanuel Macedo de Medeiras, kurse për kryesues të ICSS, Mohammed Hanzab. Po ashtu, u zgjodh edhe Këshilli i ri i SIGA-s.
Në forum u diskutuan çështje të ndryshme të integritetit dhe qeverisjes së mirë në sport. Asambleja kryesohej nga Franco Fratini, ish-ministër i Jashtëm i Italisë.
Pas zgjedhjes së Këshillit të SIGA-s, si organi më i lartë i organizatës, u zgjodhën pesë komisione të përhershme e në njërën nga këto komisione, konkretisht në komisionin për Qeverisje të Mirë në Sport, si anëtar u zgjodh edhe Memli Krasniqi, nënpresident i parë i KOK-ut.
“Besim Hasani dhe Memli Krasniqi patën takime të shumta me anëtarët e Këshillit të SIGA-s dhe të komisioneve të përhershme dhe kontribuuan për plotësimin e rekomandimeve për strategjinë e zhvillimit të SIGA-s. Në pjesën e planit veprues për vitin 2018 u arrit pajtueshmëria për organizimin e përbashkët KOK-SIGA, të Forumit Rajonal në Prishtinë. Për datën e saktë kur do të mbahet Forumi Rajonal dhe për shtetet pjesëmarrëse do të vendoset në javët në vijim. KOK-u është anëtar i SIGA-s që nga themelimi i saj në janar të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)