Hasani: Do t’i mbrojmë prodhuesit vendorë
Ai ka thënë se vendimi për marrjen e masës anti-dumping kundër miellit i cili importohet nga Serbia në Kosovë ka ardhur pas një hetimi të kësaj industrie në Kosovë dhe rajon nga stafi profesional i MTI-së. Sipas tij, në bazë të fakteve të gjetura dhe të cilat i ka në dispozicion MTI-ja, ka dalë se kemi të bëjmë me çmime të dampuara.
Hasani ka treguar edhe prioritetet e tij si ministër që pritet t’i realizojë gjatë këtij mandati qeverisës. “Një prej gjërave më të rëndësishme do të jetë fuqizimi i biznesit, në veçanti fuqizimi dhe mbrojtja e prodhimit vendor. Po ashtu, synimi im është zhvillimi i konkurrueshmërisë së sektorit privat nëpërmjet zhvillimit industrial dhe përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes. Pa investime nuk mund të ketë zhvillim ekonomik andaj e kemi prioritet inkurajimin e investimeve dhe eksportit nëpërmjet fuqizimit të kapaciteteve dhe të pakos stimuluese”, ka thënë ministri Hasani, duke shtuar se prioritete të tjera do të jenë edhe zhvillimi dhe promovimi i infrastrukturës së cilësisë, duke e përafruar legjislacionin, anëtarësimin në organizata relevante evropiane dhe ndërkombëtare si dhe mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. “Do të punojmë shumë për avancimin e mëtejmë të politikave tregtare si dhe për rritjen e rezervës shtetërore të mallrave”, është shprehur ai.
Ministri Hasani ka theksuar se MTI-ja ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet hallka kryesore në investimet strategjike. Duke folur për raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin e tregtisë, ministri Bajrami ka thënë se fusha e tregtisë mbetet me prioritet të lartë ndërmjet dy shteteve shqiptare, me theks të veçantë eliminimi i barrierave tregtare për prodhuesit kosovarë të cilët duan të eksportojnë në tregun e Shqipërisë.
“Epoka e re”: Z. Hasani, këto ditë keni marrë vendim që Kosova të vendosë tarifë për miellin nga Serbia. Si erdhët deri te ky vendim?
Hasani: Vendimi për marrjen e masës anti-dumping kundër miellit i cili importohet nga Serbia në Kosovë ka ardhur pas një hetimi të kësaj industrie në Kosovë dhe rajon nga stafi profesional i MTI-së. Në bazë të fakteve të gjetura dhe të cilat i ka në dispozicion MTI-ja, del se kemi të bëjmë me çmime të dampuara dhe në një masë të konsiderueshme është dëmtuar industria vendore e miellit. Duke e pasur parasysh faktin se prioritet imi është mbrojtja e prodhuesve vendorë, nga të gjeturat e ekspertëve tanë kemi ardhur deri te ky vendim i cili besoj se në masë të madhe do t’i ndihmojë prodhuesit e miellit të Kosovës. Vlerësoj se ky ka qenë një vendim pozitiv për prodhuesit vendorë dhe nga reagimet e para që ngjalli ky vendim, është vlerësuar si vendim i duhur.
“Epoka e re”: Cilat janë objektivat tuaja për këtë mandat qeverisës si ministër i MTI-së?
Hasani: Posa kam marrë detyrën e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë i kam pasur të qarta objektivat dhe çfarë dua të arrij duke qenë në krye të kësaj ministrie kaq të rëndësishme. Duke pasur parasysh se Nisma për Kosovën, subjekti politik prej të cilit vij unë, në parim të tij ka socialdemokracinë, atëherë mendoj të aplikoj të tilla politika që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarit të Republikës së Kosovës. Duke shkuar në këtë linjë unë i kam caktuar disa prioritete të cilat planifikojmë t’i realizojmë gjatë mandatit tonë qeverisës. Në këtë kuadër, si një prej gjërave më të rëndësishme, do të jetë fuqizimi i biznesit, në veçanti fuqizimi dhe mbrojtja e prodhimit vendor. Po ashtu, synim imi është zhvillimi i konkurrueshmërisë së sektorit privat përmes zhvillimit industrial dhe përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes. Pa investime nuk mund të ketë zhvillim ekonomik andaj e kemi prioritet inkurajimin e investimeve dhe eksportit përmes fuqizimit të kapaciteteve dhe të pakos stimuluese. Prioritete të tjera do të jenë edhe zhvillimi dhe promovimi i infrastrukturës së cilësisë duke e përafruar legjislacionin, anëtarësimin në organizata relevante evropiane dhe ndërkombëtare si dhe mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Po ashtu, do të punojmë shumë për avancimin e mëtejmë të politikave tregtare si dhe për rritjen e rezervës shtetërore të mallrave.
“Epoka e re”: Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA), anëtare e së cilës është edhe Kosova që nga viti 2007, sa i ka sjellë përfitime Kosovës?
Hasani: Fillimisht, CEFTA konsiderohet si një instrument parahyrës në BE, pra secili vend anëtar i CEFTA-s në faza të mëvonshme do të bëhet vend anëtar i BE-së. CEFTA i ka ndihmuar institucionet e Kosovës për krijimin e mekanizmave raportues të cilët i kanë shërbyer procesit të negocimit të MSA-së dhe e ka ndihmuar komunitetin e biznesit për ndërtimin e një bashkëpunimi edhe më intensiv me bizneset nga vendet e tjera të rajonit. Dogana në mes të vendeve të rajonit është zero dhe kjo ka kontribuar në uljen e shpenzimeve të transportit dhe të të bërit tregti.
“Epoka e re”: Kjo marrëveshje jo çdoherë është respektuar nga shtetet fqinje si Serbia, Maqedonia dhe në disa raste edhe nga Shqipëria, të cilat vendosën barriera tregtare ndaj Kosovës.
Hasani: Kosova është e përkushtuar për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat ka marrë zotime, por sigurisht se tregtia bëhet në mes të dy palëve dhe atëherë kur kërkohet reagim nga MTI-ja për të vepruar për eliminimin e barrierave tregtare, do të bëhet një veprim i tillë, ashtu siç është bërë deri më tani për adresimin dhe zgjidhjen e barrierave tregtare në raport me vendet e rajonit.
“Epoka e re”: Marrë parasysh debalancën tregtare, ju si ministër a do të aplikoni barriera tregtare në raste të nevojës?
Hasani: Barrierat tregtare nuk kontribuojnë në zhvillim afatgjatë të tregtisë në përgjithësi, por në rast se vërehen praktika jo të mira tregtare dhe dëmtohen prodhuesit vendorë dhe tregu vendor, dhe pas shterjes së të gjitha formave të dialogut me palët, do të reagojmë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Epoka e re”: U bënë dy vjet që nga nënshkrimi asimetrik i MSA-së. Sa kanë qenë fitimprurëse për Kosovën këta dy vjet?
Hasani: Bizneseve të Kosovës do t’u jepet qasje tek 500 milionë konsumatorë në 28 shtetet anëtare të BE‐së. Bizneset do të përfitojnë nga MSA‐ja me uljen e barrierave tregtare dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm dhe transparent tregtar dhe të investimeve. Për kompanitë do të jetë më e lehtë dhe më e lirë t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet partnere tregtare. Përveç kësaj, përfitimet nga MSA‐ja shkojnë përtej tregtisë, sepse BE‐ja lidh MSA‐në në këmbim të zotimeve për reformë politike, ekonomike, tregtare në një vend. Në këtë aspekt, Kosova do të bëjë përparime të mëdha në fushat si pronësia intelektuale, prokurimi publik, politika e konkurrencës, tregtia dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Tregtimi i mallrave të Kosovës me vendet e BE-së gjatë vitit 2016 arritën vlerën mbi 1.2 miliard euro, më e lartë për 4.4 % krahas vitit 2015. Kështu, 41 % e tërë volumit tregtar të Kosovës ka qenë e realizuar me vendet e BE-së. Mirëpo, sa iu përket eksporteve, një pjesë e madhe e mallrave të eksportuara (pas CEFTA-s) kanë shkuar drejt vendeve të BE-së duke arritur në 70 milionë euro ose 22.6 % e totalit të eksporteve me një rënie prej – 34 % në raport me vitin paraprak (2015). Gjatë vitit 2017 (janar – shtator) vlera e mallrave të eksportuara në vendet e BE-së është 70 milionë euro, kurse vlera e mallrave të importuara është 946 milionë euro.
“Epoka e re”: Ka zëra nga përfaqësues të biznesit, po ashtu edhe nga eksponentë të ekonomisë, se Kosova hyri e papërgatitur në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe se duhet të ndalet zbatimi i saj. Si e komentoni këtë?
Hasani: MSA-ja para së gjithash është marrëveshje kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së, pra që tanimë Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, por edhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Për më tepër, komuniteti i biznesit është konsultuar vazhdimisht para dhe gjatë negocimit të MSA-së. MSA-ja promovon marrëdhëniet ekonomike dhe gradualisht do të zhvillohet një zonë e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së për një periudhë dhjetëvjeçare. Marrëveshja me BE-në është mjaft asimetrike, në favor të Kosovës. Kështu, të gjitha produktet e Kosovës janë liruar menjëherë nga taksat doganore, me përjashtim të mishit të viçit, sheqerit dhe verës, të cilat janë objekt i kufizimeve sasiore. Nga ana tjetër, Kosova në mënyrë graduale do t’i heqë taksat doganore sipas periudhave të caktuara kalimtare derisa ekonomia e vendit ta zë hapin me konkurrentët e rinj që vijnë nga tregu i BE‐së. Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 % të produkteve kosovare, kështu që 0.3 % e produkteve nuk janë pjesë e Marrëveshjes së MSA‐së.
“Epoka e re”: Që nga formimi i Qeverisë Haradinaj janë hapur dilema sa i përket Ligjit për Investime Strategjike dhe moszbatimit të tij. Tani që kemi dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, si do t’i koordinoni punët që të kemi rritje të investimeve të jashtme?
Hasani: Besoj se këtu nuk ka vend për dilema sepse janë të definuara kompetencat e këtyre dy ministrive. Jemi bartës të Ligjit për investime strategjike dhe MTI-ja ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet hallka kryesore në investimet strategjike. Siç e dini, Ligji për investime strategjike është miratuar në fillim të vitit 2017 dhe menjëherë pas marrjes së detyrës si ministër i Tregtisë dhe Industrisë kam angazhuar stafin profesional që sa më parë t’i vazhdojmë punët për kompletimin e të gjitha udhëzimeve administrative dhe rregulloreve të punës që ky ligj të funksionalizohet. Prandaj, e përsërisë edhe një herë se nuk kemi kurrfarë komplikime me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, përkundrazi jemi në bashkëpunim të plotë dhe nëse ka diçka të paqartë, do të qartësohen nëpërmjet këtyre udhëzimeve administrative.
“Epoka e re”: Në cilat fusha do të fokusoheni në bashkëpunim me Shqipërinë, pasi në nëntor kemi edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive?
Hasani: Fusha e tregtisë mbetet me prioritet të lartë, me theks të veçantë eliminimi i barrierave tregtare për prodhuesit e Kosovës të cilët duan të eksportojnë në tregun e Shqipërisë.
(Albulena S. MAVRAJ)