Hasani: Është rritur interesimi i bizneseve gjermane për të investuar në Kosovë
Drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, ka thënë se kohëve të fundit është shtuar interesimi i bizneseve e kompanive të ndryshme gjermane për të investuar në Kosovë. “Ne në vazhdimësi jemi duke luftuar që ta përmirësojmë imazhin e Kosovës, duke e pasur parasysh që është një prej pengesave më të mëdha se pse hezitojnë ndërmarrësit gjerman të vijnë në Kosovë. Përveç imazhit duhet ta kemi parasysh se Kosova është vend i vogël, edhe pse kemi mjaftë se çfarë të ofrojmë, ne duhet të jemi atraktiv me investitorët”, ka deklaruar Hasani në një intervistë për “Telegraf”-in, me gazetarin Lulzim Ahmeti.
Ajo ka treguar se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është rritur interesimi i investitorëve gjerman.
“Interesimi i investitorëve gjerman është, veçanërisht nga hyrja në fuqi e MSA-së. Vazhdimisht përmes Odës investitorët vijnë të interesohen në Kosovë dhe kemi arritur t’i shënojmë rastet e para të suksesit, ku ka firma gjermane që një pjesë të prodhimit ta zhvendosin në Kosovë”, është shprehur ajo.
Hasani në këtë intervistë ka folur edhe për misionin e Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare për të cilën ka thënë se është një urë lidhëse ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës si dhe bizneseve nga diaspora.
https://www.facebook.com/telegraficom/videos/2102466576459660/?t=1