Hasani: Gruaja është shtylla kryesore e shoqërisë
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka marrë pjesë në Kuvendin e Gruas së Nismës Socialdemokrate në Gjilan, me ç’rast ka thënë se gruaja është shtylla kryesore e shoqërisë.
“Gruaja është shtylla kryesore e shoqërisë. E tillë dhe e barabartë, konsiderohet në Nismën Socialdemokrate. Në Nisma gruaja ka mundësi e shanse për të kontribuar pozitivisht, për të punuar ndershmërisht për një Kosovë më të mirë. Sot, bashkë me rreth 200 gra të mrekullueshme, mbajtëm Kuvendin madhështor të Gruas së Nismës Socialdemokrate në Gjilan. Gratë socialdemokrate të rreshtuara në Nismë jo vetëm që kontribuojnë për familjen, por ofrojnë dijen, përkushtimin, talentin dhe sinqeritetin e tyre për një Kosovë më të mirë se kjo për të ardhmen e fëmijëve tanë. Zonja të nderuara, faleminderit që na u bashkuat dhe që sollët në Nismë shumë kreativitet, vlerë dhe energji”, ka shkruar Hasani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se kryetare e gruas së Nismës Socialdemokrate në Gjilan është zgjedhur Yllka Behluli, ndërsa nënkryetare Valmire Arifi, Shkëndije Fera dhe Ardiana Biqkaj.
Me këtë rast janë zgjedhur edhe 17 anëtare të kryesisë.
/Epoka e re/