Hasani jep një version se çfarë po ndodh me ligjin për Gjykatën Speciale
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, deklaroi se pa ndryshimin e bazës kushtetuese të Ligjit për Dhomat Speciale nuk mund të shfuqizohet ligji që e themelon këtë gjykatë.
Ai ka thënë se me këta hapa “Kosova futet në zonën e përgjegjësisë ndërkombëtare si shtet”.
Hasani më tej shpjegon se ndryshimi i bazës kushtetuese duhet të bëhet me të njëjtën procedurë që është miratuar.
“Këtu nuk shtrohet çështja e ndryshimit të ligjit por e bazës kushtetuese. Me ndryshimin e Kushtetutës është delegu një pjesë e pushtetit të gjyqësorit në bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi për “KALLXO.com”, Enver Hasani.
Më tej ai shtoi se “shfuqizimi i Ligjit për Dhomat Speciale nuk ka bazë nëse nuk shfuqizohen amendamentet e Kushtetutës që i kanë dhënë bazë Gjykatës Speciale.
“Pra, pa shfuqizimin e amendamenteve kushtetuese nuk mund të bëhet shfuqizimi i një detyrimi ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Hasani.