Hasani: Kampionati fillon në fund të majit
Koronavirusi ka bërë që futbolli kosovar tashmë e 40 ditë të jetë i bllokuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për një gjë të tillë, si shenj parandalimi të kësaj pandemie.
Kjo pandemi ka prekur edhe Evropën por edhe gjithë botën, pasi kampionatet e shumta tashmë janë pezulluar për data të pacaktuara.
I pezulluar mbetet edhe kampionati në Hungari, pjesë e të cilit është futbollisti i Kosovës, Florent Hasani te skuadra Diosgyori.
Vushtrriasi në një prononcim për Gazeta ‘OLLE’ ka zbuluar jetën në karantinë por ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës për sfidën që e pret ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Është një kohë e vështirë për të gjithë, por na duhet të iu përmbahemi rregullave dhe shpresoj që të kalon sa më shpejt kjo gjë”, tha fillimisht Hasani.
“Unë jam duke iu përmbajtur planit që klubi na ka dhënë për aktivitete stërvitore. Po presim që të kalon kjo pandemi dhe të rikthehet kampionati, situata në Hungari është në kontroll dhe sipas gjitha gjasave në fund të majit pritet të rifillon futbolli”, shtoi ai.
Forma e mirë këtë vit te skuadra Diosgyori, ka bërë që Hasani të jetë ‘shënjestër’ e klubeve të ndryshme në Evropë.
Por, 23-vjeçari nuk ka zgjedhur të thotë shumë lidhur me këtë temë, për ndonjë transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës.
“Forma ime ka ecur mjaft mirë dhe me ekipin jemi në tabelë në pozitë shumë të mirë. Jemi duke luftuar për një vend që dërgon nga Evropë. Për transferimin tim gjërat janë vështirësuar pas pandemisë, por do të shohim gjatë verës pasi nuk mund të flas më shumë lidhur me këtë temë aktualisht”, shtoi me tutje vushtrriasi.
Hasani ka komentuar edhe ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, takim ky i shtyrë së pari për muajin qershor e më pas për në shtator të këtij viti. E gjitha kjo si pasoj e përhapjesë së koronavirusit.
“Në këtë situatë çfarë ndodhemi më mirë ishte të shtyhej ndeshja, dëshirojmë që të luajmë në përkrahje të tifozëve tanë”.
“Padyshim që përballja ndaj tyre do të jetë e vështirë. Maqedonia ka ekip cilësor por edhe ne kemi ekip shumë të mirë dhe të përgatitur. Gjithsesi, kemi gjasa shumë të mira që të kalojmë tutje. Nëse arrijmë evropianin do të jetë moment historik për të gjithë vendin, por së pari na duhet fitorja në dy takimet e ardhshme”, përfundoj Hasani.
Mesfushori ofansiv ka dy vite që po luan në Hungari te skuadra Diosgyor, ku po bën paraqitje fantastike.
Në Hungari, Hasani kaloi nga skuadra e Trepçës 89, ku ishte kampion i vendit, duke luajtur për herë të parë në histori të Superligës së Kosovës edhe në kualifikime të Ligës së Kampionëve.
Hasani, ishte kampion edhe me skuadrën e Vushtrrisë, në kohën kur në këtë skuadër luante edhe Milot Rashica.
Kurse, në ekipin e parë të Kosovës debutoi në ndeshjen e madhe ndaj Anglisë në Southempton që Kosova e humbi me rezultatin 5:3.