Hasani: Kërkesat e Vuçiqit kanë synim izolimin dhe armiqësimin e mëtejmë të Kosovës me Perëndimin
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani ka folur rreth 7 kërkesave që i bëri të premten Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq si përgjigje e tij ndaj zhvillimeve në Veriun e Kosovës.
Hasani në një intervistë për Euronews Albania ka thënë se Vuçiq synon t’i arrijë dy qëllime, një për publikun e brendshëm dhe një tjetër për atë ndërkombëtar.
“Plani është skicuar në atë mënyrë që, do t’i veçoja dy qëllime, qëllimi i parë është ai brendshëm dhe bëhet për publikun e brendshëm serb, për të qetësuar votuesit e tij atje simpatizantët e tij atje dhe në Kosovë, për të thënë se ja qeveria dhe shteti serb diçka është duke bërë” ka thënë Hasani.
Synimi tjetër i Vuçiq sipas Hasanit “është ndërkombëtar dhe është më i rrezikshëm edhe pse duket i padukshëm në shikim të parë”.
“Ai është më i rrezikshëm për shkak se synon acarimin dhe prishjen e mëtejme të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, izolimin e mëtejmë. Disa pika të tij janë zotime që Kosova i ka marrë në Bruksel dhe në Ohër dhe dihet natyra e tyre, kurse tjerat janë fiktive ta zëmë zonë e posaçme sociale, kthimi i status quo ante. Edhe pse ka pasë shkrime edhe këtu prej shqiptarëve që në të njëjtën ditë kanë kërkuar kthimin e status quo ante dhe anulimin e veprimeve tjera që janë marrë në 2-3 vitet e fundit pastaj formimi i gjyqeve e prokurorive të veçanta etj. Këto janë të parealizueshme dhe janë fitkive që bëhen për të krijuar mjegull në opinionin e tij” ka thënë ai.
Sipas tij, pjesa tjetër “për aq sa ato janë pjesë e zotimeve ndërkombëtare të marrë nga Kosova në mënyrë të ligjshme, ato janë çështje serioze që hasin në mirëkuptim në të dyja anët e Atlantikut”
“Pjesët që janë të parealizueshme dhe fiktive, pagesa me dinarë, krijimi i prokurorisë dhe gjykatës, ato (qeveria), duhet t’i injorojë”
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese duke folur për zgjedhjet në Veri ka thënë se mungesa e përfaqësimit të serbëve shkon në dëm të palës kosovare.
“Në Perëndim thonë ‘nuk ka taksa pa përfaqësim’, për anulimin e përfaqësimit nuk të kupton kërkush fare. Ne shqiptarët i kemi fitu simpatitë në kohën e pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, pikërisht se serbët na e mohonin neve të drejtën e përfaqësimit politik. Përfaqësimi i serbëve në veri është zero” ka thënë Hasani.
Për këtë ai ka fajësuar Qeverinë duke thënë se në momentin që është shpallë që janë “9 votues” në secilin prej komunave është dashur të kërkohet dorëheqja e kryetarëve.
“Sepse Perëndimi na përkrahu, tha është e drejtë ligjore e Kosovës me i majtë zgjedhjet në Veri, sepse është e drejtë e jona, por kur e sheh se nuk është legjitime nuk duhet të hahet ajo lojë sic e bëmë ne dhe për këtë s’do të kemi mirëkuptim kurrë”.
Hasani thotë se kërkesa për zgjedhje, Asociacion dhe funksionin e gjykatave në Veri “duken si kërkesa të Vuçiqit por s’janë.
“Disa prej tyre janë të miqve. Çështja e zgjedhjeve, Asociacionit dhe rendit civil në veri janë të miqve. E ke detyrim me gjet mjete politike me i kthy serbët lokalë në sistem” ka vlerësuar Hasani.