Hasani kërkon që KOK-u të anëtarësohet në FICTS
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, është takuar me presidentin e Federatës Ndërkombëtare për Kinemanë Televizive Sportive (FICTS), Franco Ascani, gjatë Festivalit të 17-të Ndërkombëtar të FICTS “Sport Movies & TV”, që po mbahet në Milano të Italisë.
Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka kërkuar që edhe KOK-u të anëtarësohet sa më parë në FICTS, anëtarë të së cilës federatë janë edhe 120 shtete të tjera. Nga ana e tij, presidenti Ascani konfirmoi disponimin e madh të tij dhe Komitetit Ekzekutiv të FICTS-s për ta pranuar KOK-un anëtarin më të ri të saj, vendim ky i cili pritet të merret në mbledhjen e KE të FICTS, që do të mbahet pas dy javësh.
Hasani, po ashtu, shprehu gatishmërinë që në vitin e ardhshëm edhe Kosova ta organizojë Festivalin e Filmit Sportiv, në të cilin i pranishëm pritet të jetë edhe Franco Ascani.