Hasani: Konferenca e ambasadorëve do të reflektohet në integrimin e BE-së
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani është shprehur se është i lumtur që pas tetë vitesh në Tiranë është rikthyer Konferenca e Ambasadorëve.
Ai ka theksuar se gjatë tri ditëve të ardhshme, do të reflektojnë mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë shqiptare, si dhe strategjitë mbi sigurinë, gjeopolitikën e rajonit, ekonominë, turizmin, kulturën, dhe prioritetin kryesor: integrimin në Bashkimin Evropian (BE).
“Kjo konferencë vjen në një moment kyç, jo vetëm për shkak të angazhimeve gjithnjë e më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare, por edhe ndërsa ndërmarrim hapa konkretë për një shërbim të jashtëm gjithnjë më modern e dinjitoz, përfshirë një Ligj të ri për shërbimin e jashtëm dhe ringritjen e Akademisë Diplomatike”.
“Falënderoj kryeministrin Edi Rama për përkushtimin e tij ndaj politikës sonë të jashtme, si dhe të ftuarën e nderit në sesionin e hapjes së konferencës, homologen sllovene, Tanja Fajon, një mike e vendit tonë dhe mbështetëse e fortë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe rajonit”, ka shkruar Hasani në “Facebook”.