Hasani: Kurti mund të jetë kryeministër, por jo deputet
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të mërkurën, nuk do të ketë të drejtë të garojë për deputet në zgjedhjet e reja, ka thënë ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani.
Duke folur për “Radion Evropa e lirë”, Hasani ka thënë se aktgjykimi e ka qartësuar se të gjithë personat e dënuar me gjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë dhe të marrin mandat nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk ka të drejtë, është e qartë ajo që e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Hasani.
Megjithatë, ai shtoi se Kurti mund të nominohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i fiton zgjedhjet.
“Ajo nuk ka lidhje (me kandidimin për deputet). Mundet, gjykata nuk e ka ndaluar këtë (nominimin për kryeministër)”, ka thënë Hasani.
Çështja e kandidimit të Kurtit në zgjedhjet e ardhshme është aktualizuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, për shkak të votës së Etem Arifit.
Arifi, kur ka votuar për Qeverinë e Horiti, ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë – prej më shumë se një viti burgim – për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
Kjo lëndë në Kushtetuese është dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
Kushtetuesja e ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.