Hasani: Lënia jashtë ekzekutivit e Listës Serbe, e parealizueshme
Kushtetuta e Kosovës përcakton që partitë e caktuara nga komunitetet, që kanë kaluar pragun e trupit zgjedhor, janë ato që flasin në emër të atij komuniteti dhe kjo vlen edhe në rastin e komunitetit serb, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese në vend.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të mbajtura më 6 tetor, sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, subjekti politik nga radhët e komunitetit serb, Lista Serbe, ka marrë 6. 61 për qind të votave. Përfaqësuesit e kësaj liste kanë theksuar se kanë marrë më shumë se 95 për qind të votave nga komuniteti serb.
Por, Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është partia e parë me më së shumti vota, ka theksuar që ai nuk do t’i drejtohet Listës Serbe për pjesëmarrjen e saj në përbërjen e ekzekutivit.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se rezultatet zgjedhore, përfshirë edhe ato të subjekteve politike të komuniteteve pakicë, sipas Kushtetutës, duhet të reflektohen në përbërjen e ekzekutivit, përbërjen e Kuvendit dhe të trupave tjerë kushtetues.
Sipas tij, në qoftë se ekzekutivi do të ketë të paktën 12 ministri, atëherë, komunitetit serb do t’i takojë një ministri. Kushtetuta e vendit, në këtë rast, sipas tij, përcakton dy situata.
“Situata e parë është kur ministri, zëvendëskryeministri dhe zëvendësministri i takojnë pjesëtarëve të komuniteteve pakicë që janë anëtarë të Kuvendit. Në këtë rast, grupimi, partia ose koalicioni që përcakton komunitetin respektiv, kërkohet të konsultohet dhe në këtë rast është Lista Serbe”.
“Kur zëvendëskryeministri, ministri apo zëvendësministri vijnë nga jashtë Kuvendit, atëherë duhet vendim apo votë formale e Listës Serbe dhe e grupimeve tjera që përfaqësojnë komunitetet pakicë. Do të thotë, si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, ata (Lista Serbe) nuk mund të anashkalohen”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se jashtë subjekteve politike të komuniteteve pakicë, që kanë fituar në zgjedhje ose pa vullnetin dhe pëlqimin e tyre, nuk mund të bëhet përzgjedhja e ndonjë ministri për të përfaqësuar interesat e tyre.
Megjithatë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pretendon formimin e Qeverisë së re të vendit, ka thënë që në përbërjen e ekzekutivit do të ketë një ministër nga komuniteti serb, por jo detyrimisht nga Lista Serbe.
“Ne do ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës. Por, nuk do të vrapojmë te Lista Serbe pa i takuar dhe biseduar me serbët jashtë Listës Serbe, që kanë garuar dhe të cilëve duket që edhe një herë u është bërë padrejtësi e madhe me parregullsitë e procesit zgjedhor dhe me shkeljet e shumta, që i kanë konstatuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë”, ka thënë Kurti.
Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, në një deklaratë për një televizion të Serbisë, ka thënë që ajo çfarë kërkon Kurti, që të ketë në Qeveri një serb tjetër që nuk i takon Listës Serbe, është e njëjtë, sipas tij, sikur Lista Serbe të kërkojë që ai të mos jetë kryeministër, por dikush tjetër. Siç ka thënë ai, e gjithë kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Kjo që e ka thënë Kurti është pjellë e dëshirës së tij dhe ai këtë nuk e ka fshehur as para procesit zgjedhor dhe është takuar edhe me Rada Trajkoviqin, me (Nenad) Rashiqin dhe (Slobodan) Petroviqin, të cilët i ka shumë më në qejf”, ka thënë Jevtiqi.
Ndërsa profesor Hasani ka thënë se lënia jashtë ekzekutivit e Listës Serbe është e parealizueshme në aspektin kushtetues, por edhe politik. Bazuar në Kushtetutën e vendit, sipas tij, në rastin konkret, ata që kanë fituar në zgjedhje, si të deklaruar për të përfaqësuar komunitetin e tyre, janë Lista Serbe.
“Ky është përcaktimi kushtetues që nuk mund të anashkalohet. Mund të anashkalohet, por është kundër-kushtetuese dhe tërheq pasoja të caktuara kushtetuese. Në aspektin politik, mendoj që ne nuk duhet t’u kthehemi praktikave reminishente nga e kaluara, të cilat dikur i bënte (ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Millosheviqi në Kosovë, për gjetur ‘shqiptarë të ndershëm’”.
“Populli shumicë i Kosovës, marrë parasysh që ne jemi bërë shtet sovran dhe i pavarur, duhet të jemi më të përgjegjshëm dhe të mos përsërisim praktika nga e kaluara, por të respektojmë vullnetin kushtetues, siç e kanë shprehur qytetarët e Kosovës, të cilët sot janë grupuar rreth Listës Serbe dhe nesër grupohen rreth ndonjë subjekti tjetër, sepse kjo është politikë”, ka shpjeguar Hasani.
Në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, kanë garuar 4 subjekte politike të komunitetit serb. Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, është i vetmi subjekt politik serb që e ka kaluar pragun zgjedhor.
Misioni mbikëqyrës i Bashkimit Evropian, në raportin e saj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ka përmendur presionet dhe frikësimet ndaj kandidatëve të subjekteve politike tjera serbe, si dhe të qytetarëve të komunitetit serb, që të votojnë për Listën Serbe.