Hasani: Ligji për Mediat do të disiplinojë portalet, do të mbrojë gazetarët
Kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani ka thënë se po synojnë të bëjnë një Ligj të veçantë për mediat, i cili do të disiplinojë portalet.
Ligji, sipas tij, po bëhet për t’i mbrojtur gazetarët dhe mediumet. Por ka lënë të kuptohet se ligji do të bëjë përpjekje për të disiplinuar edhe gazetarët.
“Nuk është gazetari vetëm të shkruajë, por gazetari është edhe ta mbrojë autoritetin e dikujt. Cila është arsyeja kur gazetari e quan dikë kriminel. Kush do ta mbrojë fjalën”, ka thënë Hasani në “Express Intervistën” në KTV.
Kësisoj, ai mendon se kështu do të ruheshin edhe vetë deputetët që mos përdornin gjuhë fyese e ofenduese ndaj njëri-tjetrit.
Ai ka thënë me këmbëngulje se Ligji ka për synim që të mbrojë gazetarët dhe shtëpitë mediale. Për ligjin thotë të kenë marrë shembull Italinë, nga vizita që anëtarët e Komisionit kishin pasur atje kohë më parë.
“Ne shkuam për të parë se si mund të bëjmë një ligj më të mirë për RTK-në. Atje vizituam RAI1, Komisionin e Pavarur për Media si dhe organizata e shoqata të mediave. Nga takimet që kishim atje kuptuam se Komisioni i Pavarur për Media ishte një lloj gjykate absolute, derisa te ne është vetëm për licenca”, ka thënë Hasani.
Hasani ka thënë se Ligji do të disiplinojë portalet.
“Në Kosovë, janë 250 portale e prej tyre vetëm 30 të regjistruara. Pjesa tjetër janë pjesë e portaleve që përdoren për shantazhe, për fyerje e keqpërdorime të ndryshme. Ne synojmë që t’i disiplinojmë këto portale”, ka thënë Hasani.
Ai ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me censurë, me cenimin e shprehjes së lirë.
“Përkundrazi, ne duam t’i mbrojmë mediat dhe gazetarët. Unë nuk e di pse mediet të frikësohen nga ligjet që i mbrojnë”, ka thënë ai.
I pyetur se tashmë ekzistojmë mekanizma ligjorë të shpërndarë në ligje e dokumente të tjera që i mbrojnë gazetarët, Hasani ka thënë se ato nuk mjaftojnë.
“Në Ligjin për të Drejtat e Autorit ka vetëm një nen që mbron përmbajtjet mediale. Ndërsa Ligji i punës nuk i ka mbrojtur deri tash gazetarët. Ne duam kur të shkojnë nëpër gjykata do ta kenë një ligj të vecantë që do t’i mbrojë ata”, ka thënë ai.
Ai ka shprehur bindjen e tij se as Shoqatat nuk i mbrojnë gazetarët.
“Unë e kam parë sa i mbrojnë gazetarët ata. Vetëm lëshojnë komunikata të cilët askush nuk i merr parasysh”, ka thënë ai.
Në lidhje me reagimet nga komuniteti i gazetarëve, ai ka thënë se ata nuk e kanë kuptuar qartë logjikën e këtij ligji.
“Ne do të bëjmë dëgjime publike dhe do t’i ftojmë edhe mediat për të diskutuar këto çështje”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për ligjin për KPM-në dhe atë për RTK-në, të cilët po ashtu janë në proces të amandamentimit. Hasani ka pranuar problemet me pavarësinë e RTK-së, të cilën e kanë potencuar monitorues dhe raportet kredibile ndërkombëtare.
“Mendojmë që derisa kërkohet pavarësi për RTK-në, zgjidhja më e mirë do të ishte parapagimi”, ka thënë Hasani.
Hasani ka shprehur bindjen RTK-ja duhet të lirohet nga pagesa për licencë në KPM, sepse të dyja janë në kuadër të buxhetit të shtetit. Ndërsa sa u përket reklamave, ai ka thënë se është mirë që asaj t’i lejohen deri në 30 për qind të progamacionit.