Hasani: Mashtrim brutal t’u thuhet qytetarëve se të drejtat e tyre për krimet e luftës do t’i realizojnë në Strasburg
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka folur rreth deklaratave të fundit të zyrtarëve shtetërorë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke treguar se për çfarë mund ta përdorin qytetarët e Kosovës anëtarësimin në Gjykatën e Strasburgut, ai ka hedhur poshtë mundësinë që aty të bëhen padi për krime lufte.
“Nuk ka lidhje kjo gjykatë me krimet e luftës. Në mënyrë të njëjtë, as familjarët e të zhdukurve nuk mund të padisin Serbinë për personat e pagjetur. Kjo është kështu për shkak se kjo gjykatë nuk mund të ketë juridiksion për situatat dhe gjendjen e krijuar në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet sovran dhe i pavarur”, ka thënë Hasani në një intervistë për “Express”.
Hasani ka thënë se qytetarët e Kosovës janë duke u mashtruar brutalisht kur po u thuhet se mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg për krimet që kanë pësuar gjatë periudhës së luftës.
“Është një mashtrim brutal i njerëzve dhe lojë me ndjenjat e tyre, kur thuhet e premtohet se pas anëtarësimit tonë në Këshill të Evropës, individët dhe familjarët e goditur nga fatkeqësitë e luftës mund të realizojnë të drejtat e tyre në Strasburg”, ka thënë Hasani.