Hasani: Metrologjia, shtyllë kryesore për infrastrukturë të cilësisë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në Ditën Botërore të Metrologjisë, ka thënë se metrologjia është ndër shtyllat kryesore të MTI-së për shkak të punëve që i kryen.
Hasani në konferencën që është organizuar nga MTI-ja për Ditën Botërore të Metrologjisë, ka theksuar se që nga fillimi i punës së tij si ministër i ka kushtuar rëndësi të madhe metrologjisë.
“Jemi shumë të vendosur që metrologjia ta luaj rolin e vetë, sepse është një prej shtyllave kryesore për shkak të matjeve, kalibrimeve dhe rëndësisë që ka. Metrologjia, akreditimi dhe standardizimi kanë nevojë për mbështetje më të fuqishme, dhe jemi të përkushtuar që ta përafrojmë dhe harmonizojmë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, pra, që të krijohet një infrastrukturë e cilësisë sa më e mirë, që bizneset tona të jenë konkurrente edhe në tregjet e huaja”, ka thënë ministri Hasani.
Ai ka bërë me dije se Ligji për këtë agjenci ka hyrë në fuqi dhe parasheh 35 udhëzime administrative.
Në këtë drejtim, Hasani beson se shumë shpejt se do të formohen grupet punuese.
“Ne jemi të vendosur që këto t’i shtyjmë përpara dhe ligji të jetë sa më funksional. Falënderojmë edhe Komisionin Evropian që na ka ndihmuar shumë në fushën e meteorologjisë me asistent teknike, atë të akreditimit por edhe standardizimin. Po presim tash të kemi punë konkrete edhe me një projekt të Bankës Botërore që ka filluar dhe shumë shpejt do të nisin investimet në laboratorët përkatës. Është një vlerë prej 14.3 milionë dollarë dhe një pjesë e kësaj shume do të shkojë për meteorologji. Kjo tregon se i kemi kushtuar shumë rëndësi metrologjisë, sepse është një fushë kryesore e cilësisë”, ka thënë Hasani.
Ministri ka theksuar se sistemi Metrologjik i Kosovës është pjesë e infrastrukturës kombëtare teknike të cilësisë.
“Cilësia e shërbimeve metrologjike të konfirmuara me anë të akreditimit është baza për cilësinë e produkteve dhe shërbimeve kosovare. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia e Metrologjisë së Kosovës me politikat e tyre dhe objektivat e ndërtimit të sistemit metrologjisë, synojnë që të sigurojnë shërbime metrologjike sa më profesionale e cilësore, në kuadër të laboratorëve ekzistuese të cilët janë nën menaxhimin e AMK-së”, ka thënë Hasani.
/Epoka e re/