Hasani: Ndaj Gjermanisë e kemi lënë zemrën në fushë
Ish-ylli i Trepçës ’89 dhe tash i Diosgyor VTK-së, Florent Hasani, ka thënë se Kosova U21 e arriti suksesin historik ndaj Gjermanisë, pasi të gjithë lojtarët e kanë lënë zemrën në fushë.
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës U21, Florent Hasani, një ditë pas barazimit historik ndaj kampionëve të botës, Gjermanisë U21, ka thënë se ky rezultat është arritur për faktin se lojtarët e Kosovës e kanë lënë zemrën në fushë e stadiumit olimpik “Adem Jashari”.
“Kemi hyrë në ndeshje të motivuar dhe të vendosur për të arritur rezultat pozitiv. Në fund ia arritëm qëllimit. Ka qenë paraqitje e mirë nga të gjithë lojtarët. Kemi luajtur së bashku, duke e lënë zemrën në fushë dhe arritur rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi të botës”, ka thënë Hasani për “Epokën e re”.
Kosova pas ndeshjes ndaj gjermanëve renditet në pozitën e tretë me 11 pikë në Grupin e 5-të, kurse Hasani është optimist se Kosova mund të kualifikohet.
“Gjasat për kualifikim janë të mëdha, pasi kemi për t’i zhvilluar edhe dy ndeshje për t’i zhvilluar. Ne si gjithmonë do ta japim maksimumin dhe pas barazimit ndaj Gjermanisë jemi edhe më të motivuar, kurse për kualifikim nuk do të dorëzohemi deri në fund”, ka deklaruar Hasani, i cili në lojën e parafundit ndaj Azerbajxhanit e ka shënuar golin e parë në ndeshje.
Ish-ylli i Trepçës ’89 në afatin kalimtar të janarit është transferuar te skuadra elitare e Hungarisë, Diosgyori VTK. Lidhur me të ardhmen, Hasani ka thënë se do ta japë gjithmonë kontributin për vendin e tij, Kosovën dhe dëshira e madhe është të bëhet pjesë e Përfaqësueses A. “Synimet janë që gjithmonë të jap kontribut për vendlindjen time dhe për këtë fanellë, të tregoj paraqitje të mira në çdo ndeshje dhe në të ardhmen të ftohem edhe nga Përfaqësuesja A”, ka deklaruar ai.
(Veton ZYMBERI)