Hasani priti eksperten e FINA-s, Christiane Fanzeres
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur eksperten e Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA), Chistiane Fanzeres.
Ajo po qëndron në Kosovë, ku në fundjavë ligjëroi në seminarin e FINA-s, që u organizua nga Federata e Notit të Kosovës (FNK). Të pranishëm në takim ishin edhe kryetari i FNK-së, Imer Rama, sekretari i përgjithshëm i FNK-së, Astrit Haliti, si dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj. Presidenti Hasani falënderoi ligjëruesen Fanzeres për kontributin që po e jep për zhvillimin dhe avancimin e notit në Kosovë.
Hasani e njoftoi mysafiren Fanzeres me procesin e njohjes së Komitetin Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Fanzeres falënderoi presidentin Hasani për pritjen e ngrohtë dhe shprehu gatishmërinë e saj dhe të FINA-s për të vazhduar bashkëpunimin dhe kontributin për zhvillimin e FNK-së.