Hasani propozon që sportistët elitarë të bëhen pjesë e FSK-së
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Rrustem Berisha, e ka pritur në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani. Ministri Berisha u shpreh i nderuar për këtë takim dhe përgëzoi Hasanin për sukseset e sportistëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, i kanë bërë krenarë të gjithë.
Më tej ministri i informoi zyrtarët e KOK-ut rreth procesit të tranzicionit të FSK-së dhe arritjeve gjatë fazës së parë 120-ditëshe pas miratimit të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së. Në takim u diskutua rreth formalizimit të bashkëpunimit të KOK-ut me FSK-në në fushën e sportit. “Kjo do të ndikonte edhe në masivizimin e sportit të të rinjve të vendit tonë”, ka thënë ai.
Presidenti Hasani shprehu gatishmërinë që KOK-u ta përkrahë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në për organizimin e pjesëtarëve të FSK-së nëpër klube në disiplina të ndryshme sportive, organizimin e garave si dhe themelimin e federatës ushtarake të sporteve brenda FSK-së. “FSK-ja në radhët e saj ka të përgatitur sportistë të cilët me sukses mund të garojnë në gara ndërkombëtare”, ka deklaruar Hasani.
Duke ndjekur praktikat e mira të disa ushtrive në Evropë, presidenti Hasani propozoi që disa nga elitarët e sportistëve të Kosovës të mund të bëheshin pjesëtarë të FSK-së. Ministri Berisha e përkrahi këtë ide dhe është zotuar se do të hulumtohen modalitetet më të përshtatshme që sportistët elitarë ta respektojnë FSK-në si pjesëtare në uniformë, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi.
Ministri Berisha dhe presidenti i KOK-ut, Hasani, u pajtuan që pa vonesë të themelohen grupet punuese nga të dyja palët për hartimin e një memorandum bashkëpunimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.