Hasani: Qytetarët gjithnjë e më shumë po i bashkohen programit të Nismës
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, njëherësh kryetar i degës së Nismës Socialdemokrate në Gjilan, është duke vazhduar krijimin e nëndegëve të kësaj partie nëpër të gjitha lagjet dhe fshatrat e qytetit të Gjilanit.
Ai nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka treguar se tashme është themeluar edhe nëndega e Nismës në Qendrën e Gjilanit.
Kryetar i kësaj nëndege sipas Hasanit është zgjedhur, Uran Mujku.
“Procesin e konsultimeve dhe analizës me strukturat dhe anëtarësinë e Nismës Socialdemokrate në Gjilan jemi duke e vazhduar ende. Veç kësaj po vazhdojmë procesin e shtrirjes kudo nëpër Gjilan me krijimin e nëndegëve të reja dhe pranimin e anëtarëve të ri në radhët tona. Në këtë kuadër sonte në Gjilan, themeluam nëndegën e Qendrës së qytetit. Kryetar i kësaj nëndege është zgjedhur Uran Mujku”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë po rritet vullneti dhe besimi i qytetarëve në Nismën Socialdemokrate.
“Gjithnjë e më shumë qytetarët po i bashkohen programit dhe kauzave tona”, është shprehur Hasani.