Hasani: Rregullorja e BQK-së s’mund të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese
Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, në një intervistë për “Express”, ka sqaruar se rregullorja e BQK-së, s’mund të sfidohet në kushtetuese, ashtu siç po kërkohet nga një grup avokatësh serb.
Sipas Hasanit, rregullorja nuk është akt juridik qeveritar. Prandaj sipas tij, kjo rregullore mund të sfidohet vetëm në gjykatat e rregullta.
“Jo, avokati serb nuk mund të jetë palë në procedurë pranë Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. I mungon legjitimiteti aktiv, pra nuk hyn në asnjërën prej kategorive të palës së autorizuar në kuptim të nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës. Askush nuk mund të sfidoj në Gjykatë Kushtetuese këtë rregullore sepse nuk kanë autorizim kushtetuese nga neni 113 i Kushtetutës. Akti juridik në fjalë, pra Rregullorja e BQK, nuk është rregullore e qeverisë e as akt i saj juridik. Aktet e institucioneve dhe agjencive të pavarura mund të sfidohen vetëm sa i përket ligjshmërisë së tyre sipas ligjit në fuqi për konfliktet administrative. Për këto raste vendosin gjykatat e rregullta, përkatësisht departamenti për çështje administrative pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë Hasani.