Hasani: Studentët nga Lugina e Preshevës do të përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka prezantuar këtë të enjte nismën e “Për shqiptarët në rajon”.
Hasani ka bërë me dije se studentët nga Lugina e Preshevës do të përfitojnë bursa studimi në universitetet shqiptare. Duke filluar nga viti tjetër akademik 2024-2024 do të jepen 30 bursa studimi.
Për studentët do të ketë akomodim falas, ndërkohë që Hasani ka thënë se Bashkia e Gjirokastrës ofron mundësi punësimi për ta gjatë muajve të verës.
“Përzgjedhja e arsimit si fokus kryesor i mbështetjes për Luginën, jo e rastësishme. Besimplotë se nga arsimi fillon përpjekja për fuqizimin dhe rivitalizimin e këtij komuniteti”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se Shqipëria ka vullnet të qartë në mbështetjen e bashkëkombasve tanë përmes nismave konkrete.
Ai ka nënvizuar se po vijon puna për binjakëzimin e komunave të Luginës me bashkitë e vendit tonë, ku synohet edhe zgjerimi i projekteve të bashkëpunimit.
“Kemi projekte të tjera konkrete në mbështetje të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës”, ka thënë ai.
Të pranishëm në konferencën e ministrit Hasani ishin edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Luftiu dhe rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Bektash Mema. /tvklan.al