Hasani: Të drejtën tonë për hapjen e urës ta harmonizojmë me strategjinë e ShBA-së
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka thënë se Kosova ka të drejt të marrë vendim për hapjen e urës së Ibrit, por siç ka thënë ai e drejta jonë duhet të harmonizohet me strategjinë e ShBA-së.
Hasani ka thënë se diskutimi i hapjes së urës së Ibrit në Bruksel do të ishte gabim pasi sipas tij, kjo nuk e zgjidh këtë problem.
“Shkuarja në Bruksel nuk e zgjidh problemin e urës së Mitrovicës, as nuk e bashkon as nuk e ndanë, e lë në status quo. Kjo nuk duhet të shkohet në Bruksel, por duhet të harmonizohet me aleatët, ShBA-në dhe BE. Dhe ata e japin mundësinë dhe e shohin momentin. Ai që mendon ta qojë në Bruksel i bënë dëm vendit. Është e drejtë e jona, por atë duhet ta harmonizojmë me strategjinë amerikane”, ka thënë Hasani në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Duke folur për mosdëgjimin e Kurtit ndaj thirrjeve të ShBA-së dhe BE-së, Hasani ka thënë se ka edhe nga ata që i thonë Kurtit të veprojë, por sipas tij këto vijnë nga “miqtë e rrejshëm”
“Unë nuk thamë që dikush nuk i thotë edhe Qeverisë vepro, ka edhe asi qe i thonë. Ka edhe asi që i thonë që të na nxisin neve të hyjmë në konflikt dhe të na dëmtojnë si shtet. Këtu duhet t’i dallojmë miqtë dhe miqtë e rrejshëm”, tha Hasani.
Të martën ambasadori amerikan i ka bërë thirrje përsëri Qeverisë së Kosovës që në këtë moment të mos merr veprim për hapjen e urës së Ibrit.