Hasani thotë se një fabrikë turke do të investojë në Kosovë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, gjatë qëndrimit në qytetin e Bursas të Turqisë është pritur nga sipërmarrësi Shahap Aktash, pronar i fabrikës “Aktash”.
“Fabrika e Shahap Aktashit ka qarkullim miliarda euro brenda vitit dhe prodhon pjesë për më shumë se 100 shtete, në mesin e tyre prodhon pjesë edhe për fabrikat e njohura Mercedesi, Volvo, Ford, BMW etj”, thuhet në një njoftim nga kjo ministri.
Hasani, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, ka vizituar fabrikën e tij ku ka parë nga afër prodhimin e pjesëve nga goma dhe plastika.
Aktash, që ka prejardhje nga Kosova, ka shprehur dëshirën që të vijë të investojë në Kosovë bashkë me disa sipërmarrës të tjerë nga qyteti i Bursës.
Hasani, thuhet në komunikatë, ka informuar Aktashin për jetësimin e Ligjit për Investime Strategjike, që investitorëve të huaj iu ofron shumë mundësi të mira për të investuar në Kosovë.
“Ligji për Investime Strategjike iu ofron tokën për ndërtimin e fabrikës me zero kosto, zero doganë për futjen e makinerisë në Kosovë dhe përveç këtyre Kosova tashmë ka ndërtuar një infrastrukturë rrugore dhe ligjore që investitorët e huaj t’i kenë kushtet jashtëzakonisht të përshtatshme”, ka thënë Hasani.
Ndërsa, Aktash ka thënë se brenda pak muajve do ta vizitojë Kosovën dhe do të dakordohet për ta nisur një investim dhjetëra milionësh që do të punësojë qindra punëtorë.
Aktash, që është njëri nga sipërmarrësit më të mëdhenj në qytetin e Bursas, ka prejardhjen nga Kosova, përkatësisht nga Gjilanit.
Ai ka thënë se projekti i tij në Kosovë do të jetë dhjetëra milionë euro dhe synon tregun e Ballkanit: Kosovë, Maqedoni, Serbi, Shqipëri, Mal të Zi.
“Aktash ka fabrika në shumë shtete të botës, e që shpejt do ta ndërtojë edhe një në Kosovë. Po ashtu, Aktash ka fabrika edhe në Amerikë, Gjermani, Bullgari, Kinë, Brazil dhe në Turqi.”, thuhet në fund të komunikatës.