Hasani ua prezanton bizneseve italiane kushtet e Kosovës për investime të huaja
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, para bizneseve italiane ka prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investime në Forumin për Investime Kosovë – Itali.
Me këtë rast, ministri Hasani u ka treguar përfaqësuesve të bizneseve se Kosova ka punuar shumë në lehtësimin e politikave fiskale dhe në eliminimin vështirësive administrative.
“Jam i lumtur që bashkë me ambasadoren e Kosovës në Romë znj. Alma Lama patëm mundësinë para bizneseve italiane të prezantojmë mundësitë që Kosova ofron për investime në Forumin për Investime Kosovë – Itali. Ky forum i cili u mbajt në Padova, u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë në bashkëpunim me dhomën e tregtisë në Padova Promex dhe Odën e Tregtisë Itali-Kosovë. Para bizneseve italiane prezantova kushtet që ofron vendi ynë. U tregova se kemi punuar shumë në lehtësimin e politikave fiskale, potencialet që ofron Kosova për investimet e huaja dhe për punën që kemi bërë në eliminimin vështirësive administrative”, ka shkruar Hasani në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/