Hasani: Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë, kundërkushtetues
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në tërë Kosovën. Me këtë vendim, qytetarët do të kenë mundësi të dalin vetëm 90 minuta brenda ditës.
Mirëpo, ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, profesor Enver Hasani, është në kundërshtim të plotë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e saj.
Në një prononcim për “Insajderin”, ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, nuk guxon në asnjë mënyrë të marrë vendime të tilla, pasi është shpallje efektive e gjendjes së jashtëzakonshme, gjë e cila nuk mund të bëhet me vendim të MSh-së. “Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, u shpreh Hasani.