Hasani: Vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës shkelje e pastër kushtetuese
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar jokushtetues vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për të shkarkuar kryesuesen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Hasani në një prononcim për Kohën, ka numëruar disa arsye pse ky vendim i Osmanit është jokushtetues. Po ashtu e ka cilësuar si mesazh frikësimi për organet tjera të pavarura.
“Kjo është shkelje e pastër kushtetuese dhe atë për disa arsye. Në rend të parë, Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare me sistem republikan nuk mund të shkarkojë krye në veti asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo prerogativë iu takon autoriteteve emëruese. Vetëm atëherë kur këto autoritete dështojnë, atëherë Presidenti i Republikës, në konsultim edhe me to, mund të bëjë zgjedhjen dhe emërimin e kandidatit të përshtatshëm. Në të gjitha rastet tjera, Presidneti ka vetëm të drejtën e emërimit, jo të zgjidhjes. Kjo sepse Presidenti duhet të bëjë konsultimet e duhura për një gjë të tillë me autoritetin emërues të anëtarit të KQZ”, ka thënë Hasani
Sipas tij, presidentja e Kosovës dhe çdo president që i takon një demokracie kushtetuese parlamentare, nuk ka vendimmarrje autonome.
“Çdo emërim dhe shkarkim (secilin dekretim) e bën si pjesë e një vendimmarrje zingjrore. Kështu është edhe më KQZ (që në vendet tjera ka emërtime të ndryshme, por funksioni është tërësisht i njëjtë me KQZ në vendin tonë). Së dyti, në krye të KQZ gjendet një profesionist që për autoritet zgjedhës e ka një organ gjyqësor që është instanca e apelit apo instanca më e lartë në gjyqësorin kosovar. Kështu është edhe jashtë Kosovës, në vendet tjera. Për këtë arsye në Kushtetutën e Kosovës (neni 84.26) Presidentit ia jep të drejtën vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, ka shtuar Hasani.
Ai thotë se Presidenti i Republikës nuk është organ apo institucion i faktit dhe nuk ka as mekanizma e as autoritet kushtetues për të gjykuar mbi dinamikat dhe ndodhitë brenda KQZ, e aq më pak sipas tij, të vlerësojë integritetin dhe punën e anëtarëve të KQZ-së, përfshirë të kryesuesit të tij.
“Presidenti nuk është organ ligj-zbatues, por zbatues i Kushtetutës. Analizën e fakteve për punën e KQZ e bëjnë vetë anëtarët e KQZ dhe autoritetet emëruese. Presidenti duhet me ta të konsultohet vetëm në rastet kur autoritetet në fjalë propozojnë ndërprerjen e mandatit, asnjëherë duke iu pri me vlerësimet e veta autoriteteve emëruese (në këtë rast Gjykata Supreme si autoritet emërues i zonjës Valdete Daka)”, është shprehur Hasani.
Ai ka kritikuar edhe përmbajtjen e vendimit për shkarkimin e Dakës. Thotë se është përdorur gjuhë jokushteteuse.
“Së fundi, teksti i vendimit përdor shprehje dhe gjuhë jokushtetuese e jo ligjore, siç janë vlerësimet për procese politike që nuk janë dhënë me shkrim në kohën kur kanë ndodhur dhe kjo përbën arbitraritet të kulluar. Përveç kësaj, as Kushtetuta e as Ligji për Zgjedhjet askund nuk flasin për lirim nga detyra, njëjtë siç nuk falsin në asnjë vend për të drejtën e Presidentit për të bërë vlerësime për punën e KQZ. Kështu është çdokund në vendet fqinje me Kosovën dhe gjetiu në Evropë, që kanë demokraci kushtetuese parlamentare”, tha ai.
Profesori Hasani thotë se me vendimin e sotë u është dërguar mesazh frikësues edhe organeve të tjera të pavarura.
“Kjo përfaqëson një arbitraritet politik që prish sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit sepse përçon një mesazh frikësimi te organet tjera të pavarura të sistemit kushtetues, në veçanti te organet e drejtësisë dhe gjyqësori se kjo i pret nëse nuk bëhen të dëgjueshëm”, tha Hasani.
Sot, presidentja Osmani shkarkoi Dakën pas një takimi që pati me të, me arsyetimin se ka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur brenda KQZ-së. Në vend të saj, Osmani ka emëruar Kreshnik Radoniqin për kryesues të ri.
Shkarkimin e Dakës e kanë kritikuar edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.