HASHIM, MOS U KËRCËNO, SE ASKUSH MË NUK TA KA FRIKËN!

04 shkurt 2018 | 13:38

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dy kërcënues kujdestarë: Janë dy kërcënues kujdestarë që tërë kohën më rrinë si shpata e Demokleut mbi qafën time dhe nuk e di kurrë se ku do të përfundojë koka ime, në Prishtinë apo Bruksel ose Uashington. Disi kam filluar të ndihem si Ali Pashë Tepelena: trupin në Prishtinë, kokën në Bruksel.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, zotëri Hashim Thaçi, gjithmonë kur i vjen veja të dalja emergjente, si Papa Françesku që në enciklikën e tij i drejtohet botës urbi et orbi, Hashimi i kërcënon ndërkombëtarët me destabilizim të situatës dhe paqëndrueshmëri afatgjatë. Sidomos kur i kalon vagoni i fundit për liberalizim të vizave i kujtohet se në Kosovë paska pasur luftë dhe ka pasur shumë viktima që kanë mbetur të padënuara.

Atëherë i kujtohet se Serbia paska bërë krim dhe gjenocid në Kosovë e që vetëm pas një jave e përqafon Vuçiqin si ta kishte djalë teze. Më kujtohet se kur duhej të votohej Gjykata Speciale, më shumë angazhohej presidenti Thaçi për të se vetë Dik Marti. Njeriu i drejtë dhe i përgjegjshëm kërkon drejtësi për viktimat pa bërë dallime etnike, fetare, racore, gjinore etj. sikur edhe përgjegjësi për ata që kanë bërë krime, pa bërë asnjë dallim. Njeriu pa ndjenja shpirtërore, i zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie, kërkon drejtësi vetëm për viktimat e “veta”, kurse nuk i interesojnë viktimat e tjera. Viktimat e “veta” i mbron jo se ndien dhembshuri, por i përdor për konsum dhe përfitime politike. Njeriu që ka mungesë të theksuar të përgjegjësisë, ata që kanë bërë krime nga radhët e veta i konsideron si patriotë, kurse kundërshtarët kriminelë.

Nuk ka asgjë më e ulët se kur krimet arsyetohen me sloganin se: “Lufta jonë është 100 % e pastër sepse kemi bërë luftë të drejtë”. Është dallim i madh midis luftës së drejtë dhe luftës së pastër. Lufta e drejtë, e lufta e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës ka qenë 1 000 % e drejtë, nuk do të thotë se ka qenë 100 % e pastër.

Ky është mendimi dhe ky është qëndrimi im që e kam pasur gjatë dhe pas përfundimit të luftës e që e kam të paluhatshëm edhe sot. Në këtë kontekst e kam kundërshtuar Gjykatën Speciale, jo se dua t’i amnistoj ata që kanë kryer krime eventuale, por se kam vlerësuar, në bazë të informatave që i kam, se kjo Gjykatë është e padrejtë sepse nuk siguron drejtësi për të gjitha viktimat, por siguron drejtësi vetëm për viktimat joshqiptare (serbe, rome etj.) si dhe ato shqiptare që kanë bashkëpunuar me okupuesin. Kjo është tabloja e viktimave që do të fitojnë drejtësi e që, nëse trajtohen 10-30 raste në këtë gjykatë, i bie se viktimat që do të fitojnë drejtësi nuk do të jenë më shumë se 0. 3%.

Në aspektin e realizimit të së drejtës për viktima edhe ky 0.3 % është pozitiv, po si do të realizojmë drejtësi për 99.7 % të viktimave dhe si do të kërkojmë përgjegjësi penale për kriminelët?! Drejtësia për viktima është hiçgjë nëse kriminelët nuk i sillni para drejtësisë. Nëse kjo Gjykatë Speciale e ka këtë mision për të ndarë drejtësi selektive dhe për të ndarë përgjegjësi selektive, në asnjë rrethanë nuk do të pranoja dhe me asnjë kusht nuk do ta votoja. As me kushtin e jetës e lëre më për një karrige të pshurrët apo përfitime që nuk mund t’i gëzosh dhe të cilat pashmangshëm të mbesin në fyt. Është shumë e pamoralshme që njëherë e voton pastaj e ç’voton.

Këta deputetë janë hiçgjë dhe nuk janë për asgjë! Deputetët që miratojnë ligje për një shtet, ta bëjnë punën të bëjnë hajgare me votuesit dhe qytetarët, duke luajtur guxhash me Gjykatën Speciale nuk e meritojnë as respektin që shprehet edhe në miligram. Deputetët që bëhen kukull e liderit apo liderëve e që pastaj shndërrohen në pleshta, s’ka ç’të thuash për ta. Nuk shkon bashkë edhe t’ua tregosh muskujt faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë e pastaj t’i ulesh brekët para tyre.

Kush e ka në rend të parë interesin kombëtar dhe shtetëror, pa asnjë hezitim e gëlltit helmin në vend të mjaltit. Këtë sakrificë të vetëflijimit, sikur që e bënë Sokrati apo Seneka, për të vërtetën nuk e kërkon askush nga deputetët apo politikanët tanë. Por, nuk kanë të drejtë që nga ne të kërkojnë sakrifica kurse ata të përqyrren para “mikut” ndërkombëtar. Edhe ata që janë gjysmë të informuar kanë qenë të sigurt se Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet. Ka qenë një lojë mirë e koordinuar midis disa politikanëve kosovarë dhe një pjese të ndërkombëtarëve.

Situatat dhe skenat si: “thikë prapa shpine, pabesi, rrezikim i Kosovës, humbja e përkrahjes ndërkombëtare, rrezikim i rendit ndërkombëtar… dhe budallallëqe të tjera” kanë qenë për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm dhe prej kësaj pune nuk pati dhe nuk ka asgjë. Në një vend normal, shfuqizimi i një ligji për themelimin e një Gjykate apo Shtëpie Publike (i njohur si puf për përdorim ndërkombëtar), është e drejtë legale dhe legjitime. Te ne kjo e drejtë u konsiderua sikur të ishte fundi i botës.

Kurrë nuk jam brengosur për këtë sepse e kam pasur të qartë fundin duke i njohur mirë politikanët, por edhe deputetët që, edhe fjalët, por edhe pordhët i kanë të forta. Për punë mos të flasim. Tash, Hashimi kur ndërkombëtarët thanë se ka ikur treni për Kosovën për liberalizim të vizave dhe për integrime evropiane, e nxori nga brezi armën e mbushur me pordhë, duke i kërcënuar ndërkombëtarët me destabilizim të situatës. Askush nuk po ia ka frikën më Hashimit. Madje as unë që deri dje jam përshurrur në tëlina me të dëgjuar kërcënimet e Hashit. Merreni me mend deri ku ka ardhur puna!

Viza dhe Mona Liza: Kur Ramush Hardinajt nuk iu dha viza për Amerikë, LDK-ja vetëm sa nuk e shpalli ditë zie kombëtare dhe shtetërore. Mandej erdhi dhe viza angleze dhe këta të LDK-së dhe mendermethënë shoqëria civile përjetuan orgazëm nga kënaqësia. Një i arratisur nga shoqëria civile deklaroi publikisht, mbase për ta poshtëruar Ramushin, se “po të ishte në vend të tij nuk do të rrinte as dy muaj si kryeministër, pasi i qenka refuzuar viza…”. Tash, pasi e mori vizën britanike dhe kur ta merr vizën amerikane, do të thonë se: “…u palua Ramushi, prandaj e mori vizën…”.

Ramushi po bën gabime. Do të bëjë gabime edhe në të ardhmen. Shumë herë nuk jam pajtuar me të. Jemi ballafaquar rëndë, por Ramushin e kam vlerësuar shumë për sakrificën dhe luftën e madhe që e ka bërë, falë së cilës e gëzojnë lirinë dhe të drejtën të shajnë e të fyejnë edhe ata që deri dje kanë qenë pjesë e grazhdit të Jugosllavisë dhe të Serbisë.

Për mua ka qenë e papranueshme nderimi me një minutë heshtje për Oliver Ivanoviqin, i dënuar dhe i rikthyer për rigjykim për krime ndaj shqiptarëve. Të mos gjendej asnjë deputet shqiptar që do ta kundërshtonte këtë veprim të pashembullt për së keqi, kjo është brengosja ime.

Mirëpo, Ramushi dhe të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë time dhe të gjithë juve që jeni mosmirënjohës dhe përbuzës mbetet dhe mbeten përmendore të përjetshme. Për luftën dhe sakrificën që e kanë bërë! Në këtë kontekst e konsideroj si përpjekje të kotë Baton Haxhiun që dëshiron ta zhveshë Albin Kurtin nga vlerat kombëtare, patriotike, intelektuale dhe politike.

Ta bësh krahasimin midis Albin Kurtit dhe Baton Haxhiut sa iu përket këtyre vlerave është si ta krahasosh elefantin me pleshtin. Të gjithë ne e kemi një të kaluar, personale dhe familjare. Albin Kurti e ka një të kaluar të sqaruar, Batoni e ka një të kaluar me shumë hije. E ka shumë të pasqaruar.

Derisa akuzat e Albinit ndaj Batonit kanë qenë shumë të qarta, përgjigjja e Batonit, jo që nuk ka qenë përgjigje ndaj akuzave të Albinit, por vetëm sa i ka bërë më të dendura hijet nga e kaluara e Batonit. Përgjigjet e gjata apo litanitë “intelektuale” të Batonit, vetëm sa e kanë bezdisur lexuesin i cili nuk ka besuar fare në ato përgjigje. Kam përshtypje që as Batoni nuk ka besuar në atë çka ka shkruar. Kjo është vetëm se për të nisur një ballafaqim me të kaluarën. Jam i gatshëm të bëhem pjesë e debatit, ndonëse me Albinin moti i kemi ndarë rrugët, kurse me Batonin kurrë nuk kemi qenë në të njëjtën rrugë.

Kositja e gjerë e Behgjet Pacollit: Begja fort është trimëruar. Të gjithëve po u kërcënohet. Ambasadorëve (22) që do t’i kthejë prapa. Politika e Jashtme e Kosovës gjithmonë ka qenë në duar të gabuara. Enveri e ka masakruar ministrinë duke e dënuar me vdekje, ndërsa Begja po e dërgon drejt ekzekutimit me gijotinë. Hashimi ministrinë për punë të jashtme e ka përdorur si pushim midis dy akteve seksuale dhe për ta pajisur me gardërobë Bekim Çollakun. Behgjet Pacolli i paska investuar 80 000 ojro në rinovimin e hapësirës së MPJ, kuptohet prej donacioneve të Buxhetit të Kosovës (humanist i madh është Begja…), kurse Ambasadën e Kosovës në Uashington e ka lënë pa ujë për pije, kurse tavolinat dhe karriget ku priten delegacionet dhe palët u ngjajnë mobileve që hedhen në rrugë.

Aso mobilie nuk mund të gjeni as në Guinea Bisao ku ishte Begja për ta rikthyer njohjen nga ky shtet. Po mos ta njihte Guinea Bisao Kosovën, do të kishte marrë fund puna jonë. Begja është hajgarexhi i madh, luan koqe me kënd të mundet. Së voni doli me propozim i cili nuk dallon fort nga ai i Daçiqit apo Vulinit se: “Serbia nuk e ka të domosdoshme ta njohë pavarësinë e Kosovës …”. Begjë jarani, fol në emër tëndin e jo në emër të Behxhetit.

Kam përshurrur afërsisht 9 vjet (5.5 vjet në vetmi) sikur që jam dhjerë po aq kohë në oturakët e ndryshkur të prodhuar në vitet 1945-48, jo për atë çka deklarove, por për atë për çka u flijuan Baca Adem Demaçi, komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë që u sakrifikuan për këtë që t’i po e keqpërdorë politikisht. Mbase për ty Baca Adem Demaçi dhe komandanti legjendar Adem Jashari nuk paraqesin asgjë, por për mua dhe shumë të tjerë janë fryma dhe kuptimi i jetës. Ndalu, Begjo!

Kërcënimi i dytë: Çdoherë kur e shoh para medieve Rrahman Jasharin më kap frika dhe tmerri. Gjithmonë kërcënohet me greva dhe kryengritje të SBAShK-ut. Jo për libra dhe arsim më të mirë, por për rritje të pagave. Tash në fillim, njëri prej këtyre të dyve do të jetë exheli im, ja Hasha, ja Rrahmani.

Hasha do të më prishë me “miqtë” ndërkombëtarë që aq shumë i dua dhe aq shumë i respektoj. Që nga koha e Dellit e këndej, kurse Rrahmani do me më prishë me miqtë vendorë, Hashimin, Ramushin, Kadrushin, Zejdushin etj… Duket se pas një kohe do ta dëgjoni këngën e kënduar nga kori i burrave dhe i grave i ansamblit folklorik nga Gjylekari dhe Muqibaba për mua: “Trupin në Prishtinë o, kokën në Bruksel, të vranë or të vranë, or Behxhet këta…”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të…