Hashim Thaçi, lider në luftë dhe në paqe
Më 24 prill 1968 edhe një djalë i vjen në jetë, Haxhi Sinan Thaçit.
Atë botë askush nuk ta dinte se kush do të ishte e çfarë do të jepte ai për historinë.
Horizontet e tij do të hapeshin, e rruga e tij do të ishte e gjatë.
Megjithatë gjithçka fillon këtu, në një fshat të vogël të Skenderajt, rajoni i Drenicës.
Burojë, ky vend që do të rriste një djalë që më vonë do të bëhej i njohur në gjithë Kosovën dhe më gjerë.
I ndrojtur, i urtë e i qetë mbahet mend si fëmijë, por veprimet e mëvonshme të Hashim Thaçit nuk do të asociojnë me këto tipare.
“Edhe Hashimi vetë si fëmijë unë e mbaj mend si fëmijë kur vike tek ne, me fëmijët tanë, me shku në shkollë fillore në Turiqec me shku në klasë të parë e tutje, ai ka qenë fëmijë I urtë, I pa fjalë ka qenë, edhe gjithë ka mësu mirë, edhe ka shku në Skenderaj pastaj e ka kry shkollën e mesme, prej Skenderajit tani ka dalë e ka vazhdu në Prishtinë”, ka thënë Milazim Thaçi, i mbijetuar i Masakrës së Izbicës.
I interesuar maksimalisht për shkollën, por Hashimin në vitet e rinisë edhe më tepër e brente diçka tjetër.
“Hashimi ka qenë djalë i mirë, nxënës I mirë, trim, patriot, t’gjitha atributet që duhet me i pasë një njeri, i ka pasë. Ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm po mbi të gjitha ka qenë besnik i madh.”
“Hashimi me t’vërtetë ka qenë trim, patriot gjithmonë, edhe gjatë bisedave gjithmonë sa herë kemi bisedu me të, shoqnia si në shkollë të mesme si në fakultet, me shokë ne kemi qenë gjithmonë, çka mundemi me ba ma shumë për vendin?.” (Këtë pjesë mundesh edhe me largu)”, ka thënë Arif Aliu, shok i shkollës fillore dhe luftës me Thaçin.
Shpirtat e lirë, rinor e atdhedashës nuk e durojnë robërinë, i tillë përshkruhet edhe ai.
“Ai prej Skenderajt ja patë nisë me u marrë me çështjen kombëtare, thojke me shiku qysh me punu, qysh me ja bo se thojke nuk rrnohet në robëri, thojke qe disa vjet nën këmbë të shkaut, e thojke duhet me kshyr t’mujsha me ba diqka. Na u tutshim, thojke Baca Mil mos ki dert se kemi me zgjedh këtë çështje, veq kadal dalë”, ka thënë Thaçi.
E kështu ngadalë ngadalë, Hashim Thaçi tashmë student i fakultetit të Historisë, në Universitetin e Prishtinës, merr për herë të parë emrin e liderit si udhëheqës i organizimeve studentore.
Aktiviteti i tij i hershëm bën që të vihet në llupë të armikut, ku urdhërohet arrestimi i tij por pa sukseses.
Dështimi i arrestimit të tij paraprin arratisjen e tij drejt Zvicrës, drejtim që do të niste një histori të re për Kosovën.
Atje do ta priste Lëvizja Popullore për Kosovën, organizatë që do të ishte nismëtare për Ushtrinë Çlirimtare.
Në njërën anë ideali, e në anën tjetër dëshira për arsimim, e çon Thaçin edhe njëherë në dyert e një universitet për të studiuar histori dhe filozofi politike, këtë herë në vendin në të cilin ishte arratisur, në Cyrih.
Studimet që nuk arrin t’i mbarojë karakterizohen me hyrje-daljet e disahershme ilegale në Kosovë për tu rikthyer edhe një herë prej vërteti më 1997. Vit ky që ai do të vishte uniformen e UÇK-së publikisht.
Hashim Thaçi i kishte hyrë një rruge që për pushtetin e atëhershëm ishte ilegale e për shqiptarët rrugë e domosdoshme.
“Për herë të parë na e kemi pa në 97-n u ardhë te shpia e vetë dhe unë qëllova rasisht aty, ai erdhi me uniformë, na vec pe kqyrim, hajde përhajr, hajde përhajr, tha hajrpaq, kjo u nisë moti po sot erdha n’ ven temin me ju kallxu juve që hic mos me u ba marak, se kjo punë ka me shku deri në fund, kemi me clirue venin tonë”, ka thënë Milazim Thaçi i mbijetuar i Masakrës së Izbicës, kushëri i Hashim Thaçit.
Thacit të cilin për herë të parë po e shihte në uniform babi i tij, i kishte dhënë edhe një këshillë.
“Baba I vetë i tha vec sa t’munesh me shokë me u bashku, e me u forcu se bashkimi e bën fuqinë edhe i bjen krejt t’mirat. Na kapak po tutem po masi ju jeni, na spo tutem hiç, se liria pa derdh gjak, dikush sbon”
Gjatë luftës Hashimin, tashmë drejtorin politik të UÇK-së, shokët do ta thërrisnin me nofkën “gjarpër”, emër ky që kishte lindur nga një fakt.
“Emrin Gjarpër në luftë ja kanë lanë shokët, sepse Hashimit në të vërtetë nuk iu kanë parë këmbët, tek ne është fjala popullore që gjarprit si shihen këmbët, ajo ka qenë krejt, jo pse tash e merrë dikush, me një demagogji tjetër, jo gjarpëri jo helmues. Ajo vetëm që sju kanë parë këmbët, njeriu që e ka kalu kufirin Shqipëri- Kosovë mbi 40 herë në këmbë, ai është.”
Por çdo kalim kufiri për të, që qëllim kishte bartjen e armëve nga Shqipëria në Kosovë, nuk duket të ketë qenë aspak i lehtë.
“Tu bajtë armë prej Shqipnie, e nëpër mal vallai ka pasë herë qeky Hashimi kur u ardhë, baba I vet ka thanë se unë se kam pa, skena mujt me ja dath qizmet prej akullit, prej bore, mas 10 min kur ja kena nxe kamt, atehere ja kena dathë”, ka shtuar Thaçi.
Për bashkëluftëtarët, ngjan se Hashim Thaçi ishte njeriu më i rëndësishëm i UCK-së.
“Nëse Zotëri Rexhep Selimi e ka pasur numrin 10, Sokol Bashota 11, dmth kanë qenë edhe 9 tjerë para 10-it, unë shumë besoj që 1shi ka qenë Hashim Thaçi dhe 2 shi Kadri Veseli”, ka Aliu.
Meqense i ishte besuar udhëheqja e drejtorisë politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ishte akteri kryesor i të gjitha zhvillimeve që ndërlidheshin me Kosovën në atë kohë.
Shpesh herë ai bije edhe të largoj uniformën ushtarake të vishej në kollare. I tillë është edhe momenti kur bashkë me një delegacion të gjerë të shqiptarëve të Kosovës, po merrnin pjesë në konferencën e Rambujesë.
Këtu, një djalë i ri në të 30’tat e tij u shndërrua në një prijës të delegacionit të Kosovës në ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare që ndodhte për vendin që ishte në luftë në vitin 1999.
“Thaçi në publik është shfaqur përnjëherë papritmas dhe përnjëherë ka qenë në krye të delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe menjëherë pastaj kryeministri I qeverisë së përkohshme të Kosovës. Në atë kohë ka qenë tepër e mirënjohur, rrjedha e Rambujesë dhe shumë e mirënjohur rezistenca e Thaçit që nga Rambuje të nxjerrrë maksimumin, e maksimumit. Dhe ai ka bërë që të sigurojë Nato të vendoset në Kosovë, UÇK-ja të mos zhduket por transformohet”, ka thënë gazetari, Muhamet Mavraj.
Madje nuk do të kishte proces të rëndësishëm që do të kalonte Shteti i Kosovës, ku nuk do figuronte emri i Hashim Thaçit.
“Si kryesues i delegacionit të Rambujesë, ka bërë që Hashim Thaçi të ketë një rol, të personaliteteve kryesore në jetën politike pas Kosovës së lirë. Ai pozicioni i fuqishëm i daljes nga një projekt çlirimtar, siç ka qenë ai i luftës së ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ka bërë që ky njeri të ketë një imunitet, të jashtëzakonshëm politik dhe nuk ka process i rëndësishëm që ka ndodhë në Kosovë të mos ketë kaluar në duart e tij, qoftë transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë pjesëmarrja në Vjenë që kanë qenë diskutimet lidhur me Pakon e Ahtisarit, që faktikisht ka qenë një parapërgatitje për Pavarësinë e Kosovës, qoftë me shpalljen e pavarësisë”, ka thënë Ismajl Syla, ish-këshilltar i Thaçit.
Emri i tij jo vetëm si pjesëmarrje në procese, por vlerësohet të jetë shkrues i kësaj historie.
“Kosova ka disa historianë që e shkruajnë historinë por ka shumë pak historianë që e kanë krijuar historinë dhe kryesori prej historianëve që e kanë krijuar historinë e re të Kosovës është Hashim Thaçi pa asnjë dyshim”, ka shtuar Mavraj.
Hashim Thaçi, ishte figura kryesore edhe në negociatat e Vienës, që po përcaktonin statusin e Kosovës.
Para se të ndodhte momenti i më i rëndësishëm në jetën e Thaçit, ai fitoi zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007.
U bë kryeministër, e me 17 shkurt të 2008-së lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Padyshim momenti më historik i një Republike të re.
Duke qenë kryeministër, Thaçit i bije barra që të udhëheqë me Republikën e Kosovës, që në historinë e pas pavarësisë kalo nëpër momente jo të lehta.
Të vështira konsiderohen fillimi i bisedimeve me Serbinë, kundër secilës kishte luftuar vet Hashim Thaçi.
E vështirë ishte edhe periudha e themelimit të Gjykatës Speciale.
Thaci në fund të vitit 2014 përfundoi detyrën si kryeministër për t’u bërë më pas president.
Në këtë pozitë u votua me 26 shkurt të vitit 2016.
Si lider ai glorifikohet nga ish bashkëpunëtorët e tij.
“Hashim Thaçi ka qenë ai personalitet që thjesht aty ku hyn ai, vihet qetësia, dhe vihet serioziteti, por jo se aty ku vihet serioziteti aty ka ndrojtje, ka frikë ose diçka, ai është ndër njerëzit, që duket në pamje të jashtme njeri serioz, dhe I rëndë por faktikisht unë po flas për përvojën time, 22 vjeçare, është njeriun që asnjëherë në jetë asnjë bashkëpunëtor, edhe pse ne aty punonim nën stress, nën presione, edhe pse kemi bërë gabime dhe gafa, të paqëllimshme ai asnjëherë, nuk ka bërë fyerje, arrogantë, ofendime, ai nuk e ka poshtëruar asnjëherë në jetën e tij askënd, asnjë bashkëpunëtor të tij të ngushtë, ne jemi skuqur nga ndonjë gafë, veprime që do të meritonin largim suspendim, por ai i ka përbirë dhe nuk e ka ndëshkuar askënd”, ka thënë Ismajl Syla, ish-këshilltar i Thaçit.
Rrjedhat ndryshuan dhe mandatin e presidentit nuk e përfundoi dot.
Mbi të u ngrit një aktakuzë për krime lufte, çka bëri që presidenti të zhvishet nga ky petku, duke hequr dorë nga pozita e tij.
“Hashim Thaçi me të kuptuar se është ngritur një aktakuzë ndaj tij në mënyrën më të civilizuar, në mënyrën më mënyrën më të dinjitetshme, duke pasur të drejtë me gëzu edhe imunitetin e presidentit deri më 7 prill 2021, Hashim Thaçi do duhej të ishte president në detyrë, ai atë e ndërpreu për të dhënë shembullin se ai nuk I frikësohet asnjë aktakuze, ai nuk I frikësohet çdo paragjykimi as keqkuptimi, dezinfomrimi as fabrikimi, që janë bërë nga qarqe anti-shqiptare, qoftë nga Beogradi qoftë nga Moska, qoftë nga poshtë e lartë, por ai me vetëdije të plotë iu ka përgjigjur, një gjykate e cila fatkeqësisht është dashur të themelohet”, ka theksuar Syla.
Tash e dy vjet, atje në paraburgim bashkë me ish krerët e tjerë të UÇK-së, po mbahet bashkë me shokë të tjerë të luftës, njeriu kyç i kësaj ushtrie që solli lirinë.
“Atje nuk është Hashim Thaçi por është Koka e UÇK-së edhe nuk ka liri të Kosovës pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar Mavraj.
Dorëheqja e tij është akti i fundit dhe fjalimi i fundit i Hashim Thaçit në Kosovë përpara se të marrë rrugën për Hagë më 5 nëntor 2020.
Dhe deri sa ai të kthehet për të thënë diçka tjetër…
“Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim, do të shihemi prapë do të dalim faqebardhë”./Dukagjini