Hashim Thaçi: S’ka marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar
Më 29 prill do të mbahet Samiti i Berlinit. Me ftesë të Angela Merkelit dhe Emanuel Macronit atje do të jetë edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.
Presidenti nuk është shprehur optimist për zhvillimet që mund të dalin nga takimi i Berlinit.
“Në Berlin, s’do do të ketë as varrim as lindje, do të jetë takim krejt rutinor. Nuk do të ketë as propozim për status special. Unë nuk jam optimist, jam realist – e di si shkojnë këto konferenca. Nuk do të ketë mrekulli”, ka thënë Thaçi në Zonën e Debatit.
“Duhet zbutur pritjet që aty do të ndodhë ndonjë marrëveshje a plan sekret”
“Takimi i Berlinit më shumë justifikon vonesat dhe paqartësitë qe kanë kanë brenda vetës shtetet e Bashkimit Europian. Synimi i Berlinit duhet të jetë edhe unifikimi i shteteve të Kuintit”.
“Kur pesë vendet e Kuintit, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia të jenë unike për vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë mund të ketë një zgjidhje”.
Thaçi ka thënë se nuk mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa Amerikën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Pa akterët kryesor, Amerikën dhe Mbretërinë e Bashkuar – s’ka marrëveshje përfundimtare. Ritheksoj se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm”.
“Kosova ka besim të plotë dhe garanci vetëm kur janë SHBA-të janë prezentë dhe mbështetëse. Ky takim në Berlin është i mirëpritur edhe në SHBA dhe ne duhet ta shfrytëzojmë si Kosovë dhe Ballkan Perëndimor”.