Haskuka: Bashkëpunimi me qytetarë dhe transparenca, shtyllat kryesore të qeverisjes sonë
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka mbajtur një takim me qytetarë, ku ka prezantuar punën gjashtëmujore të komunës për këtë vit.
Gjatë prezantimit kryetari Haskuka ka njoftuar për angazhimin e deritashëm në aspektin e shërbimeve efikase, regjenerimit urban, arsimit cilësor, zhvillimit të bujqësisë, trashëgimisë kulturore, turizmit, zhvillimit ekonomik dhe shëndetësisë, duke i përmendur disa nga projektet kryesore që janë realizuar apo janë në realizim e sipër.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi me qytetarë dhe transparenca janë shtyllat kryesore të qeverisjes së tij në Prizren.
Pas prezantimit, u mbajt edhe një diskutim me qytetarët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare e të bashkësive lokale që ishin prezentë, me ç’rast u pranuan pyetjet dhe kërkesat e tyre.
Raportin gjashtëmujor të komunës dhe të gjitha raportet gjashtëmujore të drejtorive janë të publikuara në uebfaqen zyrtare të komunës së Prizrenit.
/Epoka e re/