
Haskuka emëron Nora Kelmendin drejtoresh për Gjeodezi, Totaj e quan veprim të gabuar
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka emëruar Nora Kelmendin në pozitën e drejtoreshës për Gjeodezi dhe Kadastër (DGjK).
Haskuka ka thënë se Kelmendi ka një eksperiencë mjaft të gjatë në këtë fushë.
“Falënderoj drejtorin e deritanishëm, Bajrus Sezairi, për punën e realizuar në përmirësimin e shërbimeve në DGJK, kurse drejtoreshës Kelmendi dhe stafit të saj i uroj punë të mbarë në reformat e brendshme për shërbime edhe më kualitative. Me këtë rast, më lejoni që të shpreh kënaqësinë që tanimë gjashtë drejtori të Komunës së Prizrenit janë nën udhëheqjen e grave të suksesshme, me të cilat do të vazhdojmë të punojmë drejt përmbushjes së zotimeve tona!”, ka thënë ai.
Ndaj emërimit të Kelmendit në këtë pozitë ka reaguar kryetari i Degës së PDK-së, Shaqir Totaj, i cili e ka quajtur të gabuar një veprim të tillë.
“Kryetari Haskuka, drejtoreshë për Gjeodezi dhe Kadastër në Prizren e paska emëruar znj. Nora Kelmendin, e cila sipas tij ka një eksperiencë mjaft të gjatë në këtë fushë. Hap tjetër në drejtim të gabuar ku tani përveç kualitetit të jetës së qytetarëve injorohen edhe profesionistët e shumtë apolitik të Prizrenit. Tregues ky relevant i mungesës serioze të performancës së kryetarit Haskuka. Qyteti i bukur i Prizrenit meriton shumë më tepër se kaq”, ka shkruar Totaj.