Haskuka: Me ‘Jetimat e Ballkanit’ do t’i ndërtojnë 30 shtëpi për familjet skamnore
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se vetëm në këtë vit së bashku me shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit” do t’i ndërtojnë 30 shtëpi për familjet në nevojë.
“Vitin e kaluar së bashku me ‘Jetimat e Ballkanit’ i kemi bërë 20 familje skamnore me shtëpi të reja e të mobiluara. Sivjet këtë bashkëpunim e kemi thelluar me marrëveshjen për ndërtimin e 30 shtëpive me çelësa në dorë për familjet në nevojë. Së bashku me Halil Kastratin, sot vizituam dy nga këto familje, të cilëve ua kumtuam lajmin e gëzueshëm për ndërtimin e shtëpive. Kjo nuk do të jetë e tëra, pasi që nëpërmjet Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kemi filluar ndërtimin edhe të 29 shtëpive të tjera dhe meremetimin e 31 shtëpive dhe 40 kulmeve për familjet nevojtare”, ka shkruar Haskuka në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/