Haskuka: Qytetarët kanë pritje të larta nga qeveria Kurti, disa prej tyre jo reale
Qeveria Kurti do të kthejë shpresën tek qytetarët e vendit për një Kosovë më të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Në vend që politikanët të kenë automjete të blinduara, ato duhet t’i kenë prokurorët dhe gjykatësit.
Kështu ka deklaruar anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, njëherësh kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për “Kosovapress”.
Haskuka ka thënë se për dallim nga të gjitha qeveritë e kaluara, qeveria Kurti i ka të qarta prioritetet dhe se qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë llogari për secilën punë.
Ai ka potencuar se shëndetësia, punësimi, lufta kundër krimit e korrupsionit janë çështjet më prioritare të qeverisë Kurti, që sipas tij, janë çështje që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve të vendit.
Kryetari i Prizrenit ka theksuar se problemet që janë në Kosovë nuk mund të rregullohen brenda një mandati, por ka potencuar se vullneti në qeverinë Kurti ekziston për të bërë Kosovën një vend më të mirë për qytetarët e saj.
Haskuka ka thënë se çështjet si sistemi i drejtësisë dhe arsimi kanë nevojë për reforma të thella, reforma të cilat potencon se do të bëhen, por që rezultatet sipas tij do të shihen vite më vonë.
Sa i përket sistemit shëndetësor, ai shprehet se nëse do të implementohet ligji për sigurime shëndetësore gjendja në këtë sektor do të përmirësohet dukshëm.
Sipas tij, çështjet bazike në sistemin shëndetësor mund të rregullohen edhe brenda një mandati qeverisës.
Ndërsa për sistemin e drejtësisë, Haskuka ka thënë se duhet më shumë reforma në mënyrë që të shihen rezultatet.