Haskuka thotë se deri në fund të mandatit do të ndërtojnë 180 shtëpi për familjet në nevojë
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Islam Thaqi kanë vizituar familjet përfituese të projektit “Ndërtimi i 30 shtëpive të formës – Pika Jashtë 2020”.
“Këtë projekt kemi filluar për herë të parë në vitin 2018, ku para mandatit tonë, familjeve u janë dhënë vetëm materialet ndërtimore, të cilët në shumë raste nuk kanë arritur që t’i ndërtojnë këto shtëpi. Duke e parë këtë gjendje, kemi rritur mbështetjen dhe në vend se të japim materiale ndërtimore kemi vendosur që t’ua ndërtojmë shtëpitë në hapësirë rreth 80m2 për familje në lagje dhe fshatra të ndryshme, që jetojnë në kushte të vështira të banimit. Në tri vitet e para kemi ndërtuar 80 shtëpi nga ky projekt, ndërkaq edhe sivjet do të fillojmë ndërtimin e 30 shtëpive të tjera, pas përfundimit të procedurave vlerësuese të thirrjes publike”, ka thënë Haskuka.
Ai ka thënë se përveç kësaj, për herë të parë kanë lidhur edhe marrëveshje me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e 50 shtëpive në formën “Çelësa në dorë”.
“Me këtë projekt sivjet do t’i gëzojmë edhe 20 familje të tjera në nevojë. Pra me gjithë këto projekte, gjatë katër viteve të mandatit do të arrijmë të ndërtojmë së paku 180 shtëpi”, ka thënë Haskuka.