Hatton: Fury, boksieri më i mirë në botë
Legjenda e boksit britanik Ricky Hatton pretendon se Tyson Fury i meriton të gjitha lëvdatat dhe e meriton të vlerësohet si boksieri më i mirë në kategorinë e peshave të rënda në planet. Ish-kampioni i dyfishtë botëror, Ricky Hatton, beson se Tyson Fury është boksier më i mirë sesa bashkëkombësi tjetër i tij, Anthony Joshua, i cili së fundi i humbi titujt botërorë.
“Nuk mund të kishte qenë më i mirë, po tregohem i sinqertë. Ai nuk e mposhti një kampion bote, nuk e zgjodhi boksierin më të fortë në divizion, por ai e mposhti një boksier të klasës botërore, të pamposhtur më parë, në kategorinë e peshave të rënda, brenda dy rundeve”, ka thënë Hatton për “talkSport.com”.
“Schwarz nuk arriti ta godasë as edhe një herë të vetme. Ai e ngriti nga toka dhe filloi ta rrahë sërish. Tysoni është i njohur për aftësinë e tij për të boksuar, për mbrojtjen dhe lëvizjet e tij, por ju e patë edhe anën e keqe të cilin ai e ka brenda vetes, gjithashtu. Ai është përmirësuar që nga meçi kundër Wilderit, po bëhet më i mirë e më i mirë. Mendoj se ai e meriton të njihet si më i miri në kategorinë e peshave të rënda. Ai mund të mos i ketë titujt, por mendoj se kushdo që e ka parë do të thoshte se ai është më i miri tash për tash”, ka deklaruar ai.