Havolli i dhuron mirënjohje O’Connellit për kontributin e dhënë për AKK-në
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, është takuar të mërkurën me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Havolli ka shprehur mirënjohje dhe falënderime për kontributin e Ambasadës Britanike në Kosovë për mbështetjen e institucioneve të Kosovës, veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, gjatë takimit me drejtorin e AKK-së ka falënderuar Havolli për bashkëpunimin, duke theksuar se roli i Agjencisë Kundër Korrupsionit duhet të jetë kyç në raport me vendimet për zbatimin e ligjit dhe integritetin e institucioneve publike.
Ambasadori Ruairi O’Connell gjithashtu ka shprehur përkushtimin e Ambasadës Britanike për bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit edhe në të ardhmen.
Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë për AKK-në, Havolli i ka dhuruar një mirënjohje O’Connellit.
/Epoka e re/